Qëndron Kastrati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Telashet me reformën e arsimit në Kamenicë, flet Qëndron Kastrati
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë që riorganizimi i shkollave apo siç njihet ‘reforma’ në arsim ka qenë iniciativë e guximshme e me kosto politike.
Në emisionin ‘Jeta në Komunë’ Kastrati ka treguar për sfidat që i ka pasur si kryetar për të filluar riorganizimin e shkollave.
“Ishte diçka e domosdoshme që duhet me marrë guximin me bo edhe pse ka kosto politike. Sfida e parë ka qenë transporti që na ka dalë ma lirë se pagat shtesë, më së shumti është 45 minuta, sfida e dytë kanë qenë mësimdhënësit, ne e kemi bo një kontratë kolektive për 3 vite deri në 10 vite, asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë dhe e treta ka qenë mentaliteti lokalist ku njerëzit kanë nostalgji me shkollën”, tha ai.
Besim Osmani, Përfaqësues ligjor i prindërve në Kamenicë ka thënë se kryetari Kastrati me vendimin e tij për mbylljen e disa shkollave në kuadër të reformës ka shkelur disa ligje duke përfshirë edhe Kushtetutën.
“Reforma në arsim duhet të behën në nivel nacional, Kosova ka një kushtetutë ku dispozitat e saj kërkojnë që të mos ketë diskriminim. Arsyetimi i kryetarit se po e reformën arsimin nuk qëndrojnë sepse vendimet e kryetarit janë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese, është shkelë neni 47 i Kushtetues, është shkelë Ligji mbi Arsimin Para universitar, është shkelë ligji kundër diskriminimit”, theksoi Osmani.
Arsim Thaçi, mësimdhënës në Kamenicë ka kritikuar qasjen e kryetarit Kastrati karshi kundërshtimit të banorëve duke ngritur edhe shqetësimin e tij për cilësinë e autobusëve të kontraktuar nga komuna për bartjen e nxënësve.
“Nuk është keq edhe është lehtë një fëmijë parafillor edhe fillorë shumë të vegjël në autobusa të papërshtatshëm që nuk i plotësojnë kushtet minimale, shkallët e larta, pa rripa të sigurisë”, tha ai.
Për kritikën e Thaçit, kryetari Qëndron Kastrati theksoi se “janë të njëjtë autobusë që përdoren kur fëmijët dërgohen në shkolla private, kanë rrypa. Ne i kemi të paraparë për moshat e reja ka persona që përkujdesën sesi hypin në autobus dhe sesi vazhdon qarkullimi i rrugës”.
Përveç arsimit në debatin ‘Jeta në Komunë’, Kastrati do të sfidohet me mungesën e ujit, mungesën e kanalizimit, mbeturinat, problemet e komunitetit serb si dhe problemet në shëndetësi.
Tek pyetjet nga ‘Zëri i Qytetarëve’ Kastrati do të pyetet për rrëshqitjen e dheut në Kamenicë, problemet me kanalizim në Topanicë, mungesën e ndriçimet për banorët serb në Hodonoc.
Në fund të emisionit do të transmetohen dy storie suksesi në Kamenicë, atë të fotografit Arian Mavriqi, që po promovon kafshët shpendët dhe bukuritë e rralla të vendit tonë, e poashtu do transmetohet reportazhi për familjen Krasniqi, e cila kërpudhat e shijshme të rritura në Kosovë po i eksporton nëpër Evropë.
Përveç Kastratit në studio do të jenë të pranishëm asamblistët Besnik Rrudhani – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Afrim Dërvishi- Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Ndërsa përmes zoom do të jenë të kyçur: Lavdim Klaiqi, pjesëtar i shoqërisë civile në Kamenicë, Besim Osmani, përfaqësues ligjor i prindërve në Kamenicë dhe Arsim Thaçi – mësimdhënës.