Ilustrim - Foto: Policia e Kosovës

Pejë, zyrtarja e një banke raporton 657 monedha 2 euroshe false

657 monedha nga 2 euro janë raportuar si të falsifikuara nga zyrtarja e një banke, pas kontrollimit të të gjitha degëve në Pejë.

Sipas policisë vlera e tyre është gjithsej 1 mijë e 314 euro, që dyshohet se janë pranuar më herët dhe janë të falsifikuara.

Policia e Kosovës, konkretisht njësia e Krim-teknikës ka sekuestruar paratë.

Rasti i cilësuar si falsifikim i parasë është duke u hetuar.

Qarkullimi i monedhës 2 euro false në Kosovë ka marrë përmasa të mëdha, përderisa qytetarët kanë deponuar qindra ankesa në institucionet përkatëse. Telashet me monedhat u rritën kur bizneset dhe qytetarët filluan të mos pranojnë fare 2 euroshe.

Rreth 36 mijë monedha 2 euroshe janë identifikuar si false në tregun e Kosovës, deri në fund të muajit tetor, ndërsa para disa javësh pati edhe të arrestuar për çështjen e monedhave.

Situata po vlerësohet të jetë problem serioz ekonomik, ndërsa institucionet bëjnë thirrje për verifikim të mjeteve monetare.