Pejë, kontrollohen 10 barnatore, mbyllet një, identifikohen e konfiskohen barna të kontrabanduara

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, gjatë ditës ka zhvilluar një operacion në rajonin e Pejës, ku janë kontrolluar 10 barnatore për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola, dhe të njëjtat produkte dyshohej se janë të kontrabanduara dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Në një komunikatë për media, Policia bënë të ditur se ky operacion ka qenë i koordinuar me Doganën e Kosovës (Njësia e Antikontrabandës) dhe inspektorët farmaceutikë nga Ministria e Shëndetësisë.

Gjatë këtij operacioni janë kontrolluar 10 barnatore dhe në gjashtë prej tyre është gjetur sasi e konsiderueshme e produkteve farmaceutike pa banderola.

– Biznesi 1, në tri njësi janë gjetur: 398 lloje të barnave pa banderola, 40 copë barna me banderola të falsifikuara, një produkt narkotik pa licencë. Të njëjtit biznes i është lëshuar vendimi nga inspektorati farmaceutik për mbyllje të biznesit pasi që ka qenë duke punuar pa farmacist përgjegjës;

– Biznesi 2, në dy (2) njësi janë gjetur: 203 lloje (produkte) medicinale pa banderola dhe biznesi 3, në një njësi janë gjetur: 80 lloje (produkte) medicinale pa banderola.

Tutje, policia potencon se tre pronarë të bizneseve-barnatoreve janë shoqëruar në Stacion Policor dhe janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve lidhur me veprat penale të cekura më lartë.

Sipas njoftimit, në disa barnatore janë pronarët e njëjtë të disa barnatoreve në qytetin e Pejës.  Derisa, theksohet se është konfiskuar sasia e barnave pa banderola që dyshohet se janë të kontrabanduara, me procedura të cilat do të merret më tutje njësia e Antikontrabandës nga Dogana e Kosovës, kurse Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (SHKE-DHKEK) nga Policia e Kosovës procedon lëndën në aspektin penal pranë Prokurorisë kompetente.

Pas intervistimit personat e dyshuar me urdhër të prokurorit kujdestar nga Prokuroria e Pejës janë liruar në procedurë të rregullt, kurse rastet janë inicuar për – prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore, dhe – kontrabandim i mallrave.