Foto-ilustrim

Pejë, edhe një i arrestuar, e hapi lokalin përkundër ndalesës së vendosur nga Qeveria

Në Pejë është arrestuar edhe një person, i cili nuk e ka respektuar vendimin për moshapjen e lokaleve afariste për shkak të situatës së jashtëzakonshme të shkaktuar nga pandemia e coronavirusit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori Ersan Qavolli.

“Po, është ndaluar një person për veprën penale – mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë nga neni 250 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha prokurori Qavolli.

Në lokalin e të ndaluarit ishin rreth 20 persona.

KALLXO.com gjatë ditës ka raportuar për arrestimin e 6 personave të tjerë në këtë qytet.

Qytetarët që nuk zbatojnë vendimet për mbrojtje nga pandemia dënohen deri në 2 vjet burg

Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendjen emergjente të shëndetit publik dje pasi rritjes së numrit të personave të infektuar me coronavirus.

Numri i të infektuarve me coronavirus në Kosovë ka shkuar në 15.