Ilustrim

Qytetarët që nuk zbatojnë vendimet për mbrojtje nga pandemia dënohen deri në 2 vjet burg

Pasi që pandemia e coronavirusit ka përshirë edhe territorin e Republikës së Kosovës, KALLXO.com i fton të gjithë qytetarët që të jenë të kujdeshëm në zbatimin me përpikmëri të vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtje nga kjo pandemi.

Legjislacioni i Kosovës mbron shëndetin publik me ligjin e veçantë për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe me kapitullin e kodit penal ku parashihen sanksionet penale për ata që nuk respektojnë vendimet dhe masat për mbrojtje nga epidemitë.

Në bazë të Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse thuhet se

“Për ta parandaluar futjen dhe përhapjen e kolerës, murtajës, variola vera, etheve hemorragjike virale, etheve të verdha, SARS-it, gripit të shpendëve dhe sëmundjeve të tjera ngjitëse në tërë vendin, Ministria e Shëndetësisë, me akte nënligjore ka përcaktuar masat e posaçme të jashtëzakonshme për mbrojtje nga këto sëmundje, si vijon:

a) Ndalimi i udhëtimit në vendin ku është përhapur epidemia e ndonjërës nga këto sëmundje;
b) Ndalimi i qarkullimit në rajonet e infektuara ose drejtpërsëdrejti të rrezikuara;
c) Kufizimi ose ndalimi i qarkullimit të llojeve të veçanta të mallrave dhe të produkteve;
d) Pjesëmarrja e detyrueshme e institucioneve shëndetësore, institucioneve të tjera dhe e qytetarëve në luftimin e sëmundjes dhe në shfrytëzimin e objekteve, të pajisjes dhe të mjeteve të transportit me qëllim të luftimit të sëmundjeve ngjitëse;

Ndërsa Kodi Penal i Republikës së Kosovës në kapitullin e veprave penale kundër shëndetit publik ka paraparë këto dënime.

Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet.

Kushdo që nuk vepron sipas dispozitave apo urdhrave të organit publik kompetent në fushën e shëndetësisë, e cila ka për qëllim parandalimin apo luftimin e sëmundjeve ngjitëse te njerëzit apo kafshët dhe me këtë shkakton përhapjen e sëmundjes ngjitëse te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

Kur vepra penale nga paragrafi rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.

Kur vepra penale rezulton me lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.