Pejë, asnjë rast i ri me COVID-19 për dy ditë radhazi

Qyteti i Pejës, i cili para disa ditëve me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë është shpallur zonë karantinë, dy ditët e fundit nuk ka shënuar asnjë rast me COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka nxjerrë rezultatet e testeve për COVID-19 të ditës së sotme, ku kanë rezultuar 9 raste të reja pozitive, ndërsa janë shëruar 17 persona.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, në një bisedë për KALLXO.com tha se nga 42 mostrat e marra të gjitha kanë rezultuar negative.

Sipas tij Peja është duke shkuar drejt qetësimit sa i përket përhapjes së sëmundjes.

Me vendimin e Ministrisë, në Pejë rrugët “Cenë Abdyli 47“, “28 Nëntori nr.4“, “Fabrika e Sheqerit”, “Vëllezërit Kastrati”, “Adem Jashari 174 2/1” dhe fshatrat Nabërgjan, Vitomericë, Lutogllavë, Katund i Ri (Billagaj) në komunën e Pejës janë shpallur vatra të përhapjes së Infeksionit.

Deri me tani 73 persona nga komuna e Pejës janë infektuar me COVID-19.