Parlamenti Evropian/ Foto: Denis Sllovinja KALLXO.com

PE voton nesër Rezolutën për zhvillimet në veri, grupet politike bëjnë thirrje për sanksionim të Serbisë

Në seancën e nesërme (19 tetor), Parlamenti Europian pritet të votojë rezolutën lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë.

Votimi do të bëhet në ora 12:00.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Parlamentit Europian, Snjezana Kobescak. Ajo tha se propozimi i përbashkët i rezolutës do të jetë i gatshëm të mërkurën pasdite.

“Votimi do të bëhet të enjten në orën 12:00. Propozimi i përbashkët i Rezolutës, si dhe amendamentet, do të jenë të disponueshme nga e mërkura pasdite”- ka thënë ajo.

Ndërsa, ka bërë të ditur se disa nga grupet politike kanë bërë propozimet për këtë Rezolutë.

“Tashmë mund të gjeni disa nga propozimet e veçanta për Rezolutën të përgatitura nga grupe të ndryshme politike, të cilat mund t’ju japin një vështrim të shkurtër se çfarë duan të thonë eurodeputetët në Rezolutë. Siç u tha, të mërkurën do të bien dakord për tekstin e përbashkët që do të hidhet në votim të enjten”- thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Grupi Renew Europe, i cili është një grup politik liberal, proeuropian në PE, në amendamentin e tyre kanë përmendur ngjarjet që i paraprinë sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.

Ky grup i ka bërë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të intensifikojnë punën për të hedhur dritë mbi detajet rreth sulmit.

Po ashtu, në amendamentin e tyre ata bëjnë thirrje për vendosje të sanksioneve ndaj organizatorëve.

“I bën thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të saj që të intensifikojnë punën e tyre me institucionet e Kosovës, Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe KFOR-in, për të hedhur dritë mbi të gjitha detajet rreth këtij sulmi dhe për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin, financimin dhe ekzekutimin e tij; u bën thirrje autoriteteve serbe që të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin në vazhdim; i bën thirrje BE-së dhe shteteve të saj anëtare të përgatisin sanksione të synuara kundër organizatorëve, financuesve dhe autorëve të sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjska, bazuar në gjetjet e hetimit”- thuhet në amendamentin e propozuar nga ky grup.

Ndërsa, deputetët nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, Pedro Marques, Tonino Picula, u kanë bërë thirrje anëtarëve të Bashkimit Europian të dënojnë sulmin në Banjskë.

Në pikën e 11 të propozuar nga ta thuhet se i bëjnë thirrje BE-së që të veprojë si një ndërmjetës i ndershëm në procesin e normalizimit dhe urgjentisht të ndryshojë politikën e saj ‘qetësuese’ ndaj Serbisë, duke kërkuar vendosje të sanksioneve.

“Na vjen keq për masat negative që Këshilli ka marrë kundër Kosovës dhe kërkon që ato të hiqen menjëherë, thekson rëndësia e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për rolin e saj në 24 shtator 2023 sulmi dhe nevoja për të vendosur masa negative kundër Serbisë”- thuhet në këtë pikë.

Ata kanë kërkuar që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me hetimet.

“Serbia të sjellë përgjegjësit për sulmin, të cilët aktualisht janë duke banuar në Serbi, para drejtësisë në përputhje me ligjin dhe të shqyrtojë ekstradimin e tyre në Kosovë”- thuhet në amendamentin e tyre.

Ndërsa, përmes amendamentit të tyre në Rezolutë ata kanë kërkuar nga BE të propozojë një qasje të re, inovative dhe të balancuar ndaj dialogut ndërmjet palëve me qëllim tejkalimin e ngërçit aktual.

Edhe grupi politik Verts/ALE, ku bën pjesë raportuesja për Kosovën në PE, Viola Von Cramon, ka kërkuar sanksionimin e Serbisë në pikën e 4-të të propozimit për këtë Rezolutë.

“I bëjmë thirrje Komisionit dhe Këshillit të marrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë apo sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës në maj 2023”- thuhet në propozimin e tyre.

Ndërsa, kanë theksuar se kërkojnë nga Komisioni Europian që të ngrihen fondet e ofruara për Serbinë nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë plotësisht.

Në 3 tetor, në debatin e zhvilluar në PE, pati shumë kritika për politikën e BE-së ndaj Serbisë. Disa eurodeputetë bënë thirrje për hetim ndërkombëtar dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

Eurodeputetja holandeze: Me vite kemi lejuar në heshtje Vuçiqin ta minojë stabilitetin në rajon

Institucionet e Kosovës, liderët e rajonit e eurodeputetët, ditëve të fundit kanë shtuar presionin mbi Bashkimin Europian për të zbatuar masa ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Pa specifikuar detajet, nga Bashkimi Europian kanë thënë se po presin një hetim të plotë të ngjarjes për të vendosur më pas për hapat e radhës nga BE- ja.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.