Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas zgjedhjeve në veri, ambasadori britanik: Raportimet për presion dhe kërcënime për të mos marrë pjesë, janë shqetësuese

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar në lidhje me zgjedhjet që u mbajtën dje në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Abott mirëpriti mbarëvajtjen e zgjedhjeve që siç tha ai u zhvilluan të sigurta dhe pa incidente.

Ai ka shprehur keqardhje për mungesën e pjesëmarrjeve të partive politike serbe dhe votimin e pakët të serbëve në Kosovë teksa shtoi se janë shumë shqetësuese raportimet për presion e kërcënime.

“Më vjen keq për mungesën e pjesëmarrjes së partive politike serbe të Kosovës dhe zgjedhjes së serbëve të Kosovës në procesin zgjedhor. Raportimet për presion dhe kërcënime në raste të caktuara për të mos marrë pjesë, janë thellësisht shqetësuese. Pres përparim në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër muajin e kaluar në interes të të gjithë qytetarëve të komunave veriore të Kosovës”- shkruan Abbott.

Qeveria e Kosovës ka dalë me një deklaratë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Mitrovicën e Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Në deklaratën e Qeverisë thuhet se në numrin e ulët të qytetarëve që kanë dalë në zgjedhje ka ndikuar frikësimi nga Beogradi.

“Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje” – thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian thotë se zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe janë zhvilluar në mënyrë të qetë.

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar në lidhje me zgjedhjet që u mbajtën dje në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Von Cramon ka shprehur keqardhje në lidhje me mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje duke shtuar se dënon frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë apo votojnë dje.

“Megjithatë, më vjen thellësisht keq që forca kryesore politike në veri të Kosovës, Lista Serbe, ka refuzuar të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe dënoj fuqishëm frikësimin e të gjithë atyre që kanë dashur të kandidojnë apo votojnë të dielën” – ka shkruar Von Cramon.

Dje, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tha se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Sipas të dhënave të para të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin.

Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.