Pas vendimit të Parlamentin hungarez për anëtarësimin e Suedisë në NATO, Osmani: Moment historik për sigurinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar më 26.02.2024 kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson, për vendimin e Parlamentit të Hungarisë që të miratojë projektligjin që i mundëson shtetit suedez anëtarësimin në NATO.

Teksa e ka quajtur si moment historik, Osmani thotë se Kosova do të vazhdojë të punojë me aleatët në përpjekjet për t’iu bashkuar NATO-s.

“Ky është një moment historik për sigurinë, parandalimin dhe mbrojtjen europiane! Kosova do të vazhdojë të punojë me aleatët në përpjekjet tona për t’iu bashkuar Aleancës Transatlaktike, duke kontribuar për një Europë më të sigurte”- ka shkruar Osmani në platformën X.

Parlamenti i Hungarisë e ka miratuar të hënën projektligjin që i mundëson Suedisë anëtarësimin në NATO.

Hungaria ka qenë vendi i vetëm prej 31 vendeve anëtare të NATO-s që e ka bllokuar anëtarësimin e këtij vendi nordik në Aleancën veriatlantike.