Spitali i Pejës - Foto: KALLXO.com

Pas ritenderimit, Spitali i Pejës nënshkruan kontratën për ngrohje

Spitali i Përgjithshëm në Pejë, pas përfundimit të procedurës së ritenderimit, ka arritur të finalizojë aktivitetin e prokurimit për furnizim me pelet.

Sipas njoftimit zyrtar, ky institucion shëndetësor ka lidhur kontratë në vlerë të përgjithshme 195,600 euro, duke siguruar kështu furnizimin e nevojshëm për ngrohje.

Spitali i Përgjithshëm në cilësinë e Autoritetit Kontraktues ka paraparë që Operatori Ekonomik “Bek Fluids L.L.C“, i përzgjedhur për furnizimin me 600 tonelata pelet A1 [i shoqëruar me dëshmi dhe certifikim nga prodhuesi], obligohet të sigurojë transportin, shkarkimin dhe dorëzimin e peletit të paketuar në paleta, si dhe zbrazjen e tij në rezervuarin qendror të ngrohtores brenda ambientit spitalor

OE obligohet të respektojë porositë e autoritetit kontraktues brenda 24 orëve në rast nevoje për furnizim shtesë; të ofrojë produkt të certifikuar me dokumentacion të plotë të testimeve laboratorike për cilësinë e peletit; si dhe të garantojë furnizim të pandërprerë gjatë gjithë periudhës së kontratës.

Për këtë aktivitet të prokurimit u përdor procedura e hapur, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Tenderi paraprak për blerjen e peletit ishte anuluar në mungesë të ofertave të përgjegjshme.