Pas ankesave të shumta, IPK inspekton policët gjatë zbatimit të detyrave në kohë pandemie

Inspektorati Policor i Kosovës, saktësisht Departamenti i Inspektimit është në proces të realizimit të një inspektimi ndaj zyrtarëve policor të cilët janë të angazhuar në zbatimin e masave parandaluese të autoriteteve përgjegjëse për luftimin e pandemisë COVID-19.

Ky inspektim erdhi pas ankesave të cilat janë bërë nga ana e qytetarëve të Kosovës për zyrtarët policor.

KALLXO.com mëson se ankesat e qytetarëve janë kryesisht për sjelljet e zyrtarëve policor të cilët janë të vendosur në pika kontrolli dhe që monitorojnë rendin si rezultat i masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë.

Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje drejtuar KALLXO.com ka shpjeguar se që nga marrja e vendimeve nga ana e Qeverisë së Kosovës për masat parandaluese për shkak të coronavirusit, kanë pranuar gjithsej 78 ankesa për zyrtarët policor.

“Prej tyre 34 janë dërguar Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe verifikim të së kaluarës (në Policinë e Kosovës) kurse 41 ankesa janë përcjellë në Departamentin të Hetimeve të IPK-së dhe një (1) në Departamentin e Inspektimeve të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së drejtuar KALLXO.com.

Tutje IPK ka shpjeguar se 14 qytetarë janë ankuar për zyrtarët policor në lidhje me kufizimet e lëvizjes gjatë pandemisë në Kosovë.

“Ankesa të qytetarëve që lidhen me kufizimet gjatë pandemisë Covid-19 gjithsej janë 14, 8 prej tyre janë dërguar për trajtim në Policinë e Kosovës në mungesë të elementeve të veprës penale, kurse 6 në Departamentin e Hetimeve në IPK”, thuhet tutje në përgjigjen e IPK-së.

IPK sqaron se për rastet e njëjta që janë duke u trajtuar janë ndërmarrë edhe veprime konkrete hetimore në koordinim me prokuroritë kompetente.

IPK ka bërë thirrje ndaj qytetarëve që të shfrytëzojnë pajisjet e teknologjisë informative në rast se të njëjtit kanë ndonjë ankesë që është në kompetencë të Inspektoratit Policor të Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me ankesat e qytetarëve të Kosovës për zyrtarët policor të cilët tejkaluan detyrat të cilat i kanë në kompetencë.

Javën e kaluar KALLXO.com raportoi ekskluzivisht në lidhje me një 21 vjeçar i cili dyshohej se ishte rrahur nga një zyrtar policor. Shkak i rrahjes 21 vjeçari një ditë më vonë ka pasur ndërhyrje emergjente në kokë pasi që rrezikonte të mbetej i paralizuar.

Gjithashtu  një toger ishte arrestuar pasi që i njëjti nuk kishte respektuar vendimin për izolim pasi që i njëjti ishte takuar me disa persona të tjerë me një veturë.