Arrestohet një epror i Policisë së Kosovës pasi nuk pranoi vetë izolimin për COVID-19

Një toger është arrestuar nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës pasi që i njëjti deri sa ishte jashtë detyrës zyrtare nuk kishte përfillur urdhrat bazuar në vendimet e qeverisë për parandalimin e coronavirusit.

KALLXO.com merr vesh se togeri kishte pasur kontakt me disa persona nga Shqipëria në një nga pikat kufitare e më pas iu është thënë që të futen në izolim por që togeri nuk ka pranuar një gjë të tillë.

IPK në një njoftim ka shpjeguar se për rastin është njoftuar mbrëmë dhe më pas kishin dalur në vendin e ngjarjes.

Për këtë rast është njoftuar edhe prokurori kujdestar.

“Personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se ka kryer veprën penale “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Në fund të njoftimit IPK, ka thënë se veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.