Paralajmërohen arrestime të reja në komunat e Dukagjinit

Prokurorja e Shtetit, Lumturije Vuçetaj, në emisionin ‘Kallxo Përnime’, ka paralajmëruar hetime për zyrtarë të tjerë publikë që janë të natyrës së ndërtimeve pa leje dhe tejkalime të kompetencave për leje ndërtimore.

Sipas saj, hetimet do të vazhdojnë dhe ditëve në vijim do të ketë zgjerim të hetimeve.

“Meqenëse qytetarët na kanë dhënë besimin që ta iniciojmë këtë rast dhe ta hetojmë, unë do të vazhdoj me hetime të mëtutjeshme dhe sigurisht do të ketë zgjerime të hetimeve në drejtim të veprave penale të kësaj natyre, por do të zgjerojmë hetime edhe në drejtim të zyrtarëve të tjerë dhe konsideroj që do të ketë edhe pista për zyrtarë të tjerë publikë”, shton ajo.

Katër drejtorë të Urbanizimit të komunave të rajonit të Dukagjinit u arrestuan ditë më parë në një aksion të gjerë të Policisë së Kosovës nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën e tyre gjatë këtij mandati.

Emisioni ‘Kallxo Përnime’ shfaq pamje ekskluzive të arrestimit të Rajan Arapit, drejtor i Urbanizmit në Pejë, Ramë Melajt, drejtor i Urbanizmit në Deçan, Jashar Blakajt, drejtor i Urbanizmit në Istog dhe Lorenc Marlekut, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës.

Ndonjëri prej katër drejtorëve përpos për keqpërdorime po dyshohet edhe për konflikt të interesit.  Për këto dyshime deri me tani me vendim të Prokurorisë së Pejës në burg po mbahen gjithsej 10 zyrtarë.

Për arrestimin e tyre u realizua një aksion gjigant nga ana e Policisë, me ç’rast u konfiskuan kompjuterë, telefonë, dosje të lëndëve dhe dokumente tjera që lidhen me ndërtime pa leje ose mbindërtime pa leje.