Pamjet e vrasjes, mbyllet gjykimi ndaj Qëndrim Januzajt

Është duke vazhduar gjykimi me seancë të mbyllur ndaj të akuzuarit Qëndrim Januzi për vrasjen e Gazmend Hysenit.

Qëndrim Januzi, vëllai i rep-këngëtarit ‘Buta’ akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Në këto prova materiale përfshihen raporte të forenzikës, raporti i autopsisë, certifikata e vdekjes, raporti i ekspertimit, vërtetimi mbi sekuestrimin e sendit, fotoalbume, raporti i hetuesit, 2 CD me video-incizim.

E shfaqja e këtyre videove u bë shkak që gjykimi të mbyllej për publikun.

Përfaqësuesi i familjes Hyseni, avokati Bekim Sylejmani kërkoi të përjashtohet publiku lidhur me shfaqjen e CD-ve në seancë, me arsyetimin se këto pamje kanë ndjeshmëri të madhe, veçanërisht për palën e dëmtuar.

Kurse, avokati i të akuzuarit, Florin Vërtopi tha se kjo video duhet të shfaqet në seancë publike.

“Nuk i frikësohemi të vërtetës, këto pamje kanë qenë të shpërndara edhe në internet” – u shpreh ai në seancë.

Në bazë të nenit 289, gjykatësi Habib Zeqiri, me aktvendim vendosi që shfaqja e videove mos të jetë e hapur për publikun.

Në këtë fazë të procedurës janë duke vazhduar me administrimin e provave materiale të propozuara nga ana e prokurorisë.

Në këtë seancë, nuk u paraqit kësaj radhe i dëmtuari Vehbi Hyseni, babai i Gazmend Hysenit.

Në seancën e së martës, kanë dëshmuar 3 dëshmitarët e propozuar nga prokuroria; Babai i viktimës – Vehbi Hyseni, vëllau i të akuzuarit, Betim Januzi i njohur si “Buta” dhe Arton Spahiu.

Vehbi Hyseni I cili e ka edhe cilësinë e palës së dëmtuar në këtë çështje penale, sot rrëfeu në cilësinë e dëshmitarit për raportet e djalit të tij me të akuzuarin, si kishte mësuar për vrasjen e krejt çka ai ka njohuri për rastin.

Për vrasjen ai deklaroi se e kishte kuptuar nga djali i vëllait, pasi ishte kthyer nga Emergjenca, ku kishte qenë tashmë i ndjeri Gazmend Hyseni.

Raportet me të akuzuarin, babai i të ndjerit tha se kishin qenë shumë të afërta, por distancimi sipas tij kishte filluar pasi djali i tij kishte filluar të praktikonte fenë, dhe kishe hequr dorë nga disa dukuri negative.

Hyseni tha se djali i tij I kishte thënë se Qëndrimi e Betimi e kishin akuzuar për djegien e veturës, 2-3 muaj para ngjarjes kritike.

I akuzuari nuk e kishte mohuar vrasjen, por nuk ishte pajtuar me cilësimin juridik që i kishte bërë prokuroria.

Ai ngarkohet me veprën penale Vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje nga Kodi Penal.

Në dosjen e prokurorisë përshkruhet se, më datë 28 maj 2022, rreth orës 00:53 në Ferizaj para hyrjes së marketit “E… M….”, i pandehuri me dashje dhe përgatitje e ka privuar nga jeta të ndjerin G.H., duke shtënë 6 herë në drejtim të tij me armë zjarri.

I akuzuari Qëndrim Januzi ndodhet në paraburgim që nga ndodhja e ngjarjes, me kërkesë të prokurorisë.

Seanca për caktimin e paraburgimit ishte mbajtur në spitalin ku po qëndronte i dyshuari, për shkak se në natën kritike ishte goditur me plumb nga njëri nga policët, pas mos bindjes së urdhrave të tyre.

Plagosja e tij kishte ndodhur kur një njësi e policisë po kalonte në afërsi të vendit të ngjarjes meqë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, e me ç’rast policët intervenuan në rastin në fjalë dhe pas mos bindjes, e plagosën të dyshuarin Januzi.

Ndaj zyrtarit policor që ka kryer plagosjen e të dyshuarit, Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur hetimet.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë LINK