FSK - Ushtrimi Fushor Europe-Defender 21 Foto: KALLXO.COM

Pagat e ushtarëve të FSK-së sipas koeficientit të caktuar nga Qeveria

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i vendit ka njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro.

Kjo vlerë ka caktuar pagat edhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës për 19 pozitat që gjithsej janë në Forcë, ku shtatë prej pozitave do të paguhen me më shumë se 1 mijë euro, ndërsa 12 pozita të tjera do të jenë nën 1 mijë euro.

Paga më e lartë në FSK do të jetë 1 mijë e 575 euro, ndërsa më e ulëta do të jetë 210 euro.

Sipas kësaj vlere, Komandanti i FSK-së që e ka koeficientin 15 do të paguhet 1 mijë e 575 euro, gjenerallejtënanti i bie të ketë pagën mujore 1522,5 euro, ndërsa gjeneralmajori pritet që të paguhet 1 mijë e 470 euro.

Muaji për shërbimet e një gjeneral brigade do të paguhet me 1 mijë e 365 euro, ndërsa 105 euro më pak në muaj do të marr koloneli i Forcës së Sigurisë, të cilit i bie ta ketë pagën mujore 1 mijë e 260 euro.

Një koeficient më poshtë merr pozita e nënkolonelit, që në bazë të vlerës së caktuar pritet të paguhet me 1 mijë e 155 euro.

Majori i FSK-së do të marr pagë prej 1 mijë e 50 euro në muaj, ndërsa paga nën 1 mijë euro pastaj vazhdon për 12 pozita të tjera të cilat i takojnë Forcës.

Kapiteni, rreshter majori i komandës ose rreshter majori i FSK-së, koeficienti i të cilëve është 9, pritet që të marrin pagën prej 945 euro në muaj.

Me koeficient 8.2 janë vlerësuar togeri i FSK-së dhe rreshteri i pari ose rreshteri master, koeficient i cili në pagë përkthehet si 861 euro në muaj.

Paga mujore e nëntogerit dhe rreshterit të klasit të parë do të jetë 777 euro, ndërsa paga për rreshter shtabor do të jetë 735 euro, pra 42 euro më pak se dy kategoritë e lartpërmendura.

Rreshteri i FSK-së do të paguhet me 693 euro, tetari apo specialisti me 640,5 euro.

Ushtari i klasit të parë do të paguhet 609 euro, ushtari do të paguhet 588 euro ndërsa rekruti apo kadeti i FSK-së do të paguhet vetëm 210 euro në muaj.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.

Vlera e koeficientit për paga në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro