FSK - Ushtrimi Fushor Europe-Defender 21 Foto: KALLXO.COM

Kosova përsëri nikoqire e “Defender Europe”

Kosova do të jetë sërish nikoqire e ushtrimit ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe” në vitin 2025.

Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Pjesëmarrja në këtë ushtrim paraqet një angazhim të rëndësishëm për forcën ushtarake të Kosovës dhe një mundësi për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë.

“Defender Europe” është një ushtrim i madh me pjesëmarrje të shumë vendeve, dhe kthimi i Kosovës si nikoqire shënon një hap të rëndësishëm në përfshirjen e saj në strukturat ushtarake dhe të sigurisë ndërkombëtare.

Edhe pse Kosova ishte një nga vendet nikoqire të kësaj stërvitjeje në vitin 2023, ajo nuk mundi ta çonte deri në fund aktivitetin, pasi, më 30 maj, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se “për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”.

Ky ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën kundër Kosovës për, siç ishte thënë, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në veri.

Në veri – komunë me shumicë serbe, për ditë me radhë banorët lokalë protestuan kundër kryetarëve shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, dhe u krijuan tensione të mëdha.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit u përleshën me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Zveçan. Dhjetëra njerëz në të dyja anët mbetën të plagosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përjashtimin e Kosovës nga stërvitja më e madhe e aleatëve të NATO-s në Ballkan, e njohur si “Defender Europe 2023” e kishte cilësuar si të padrejtë./ Dukagjini