Njësia e kërkim shpëtimit urban dhe K9 brenda FSK-së, Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Si bëhet ndërhyrja nga ekipi i kërkim-shpëtimit të FSK-së në rastet e tërmetit, shpërthimeve, aksidenteve e fatkeqësive natyrore? (VIDEO)

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar mëngjesin e 19 shtatorit brenda kazermës në Pomozotin dhe ka ndjekur nga afër aftësimin profesional të ushtarëve të FSK-së për kërkim-shpëtim tokësor.

Në momentin e parë që kanë marrë kërkesën se duhet të intervenojnë në një rast të ndonjë katastrofe natyrore siç është tërmeti, ata nisin të pajisen e më pas të rreshtohen para udhëheqësit të tyre.

Skuadra e kërkim-shpëtimit tokësor në kuadër të Forcave të Sigurisë së Kosovës merr detajet se ku do të intervenojnë pas tërmetit.

Ata më pas fillojnë kërkim-shpëtimin në një ndërtesë që është rrënuar pas tërmetit në një pjesë të improvizuar për trajnime në kazermën e FSK-së që gjendet në Pomozotin.

Ky operacion u zhvillua në kuadër të planprogramit vjetor të FSK-së për ekipe, njësi e skuadra të ndryshme.

Rrënojat nga tërmeti, improvizim i FSK-së, Foto: KALLXO.com/Adelina Ahmeti

Ky tog thuajse gjatë gjithë kohës ka në asistim edhe njësinë tjetër që funksionon në FSK, atë të qenve – K9.

Të veshur me pajisje speciale fillimisht e bëjnë mbikëqyrjen sipërfaqësore e më pas nisin edhe kërkimin.

Më pas vjen edhe radha e qenit të specializuar për të identifikuar nëse brenda asaj rrënoje ka ndonjë person të ngujuar apo viktimë.

Ai e bën identifikimin. Kjo ishte një shenjë që tashmë njësiti i kërkim-shpëtimit të FSK-së të nisin vendosjen e pajisjeve teknologjike për të parë vendosjen e trupave që kanë ngecur brenda.

Njësia e kërkim shpëtimit urban brenda FSK-së, Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Të thirrur për të ndihmuar në katastrofa natyrore në hapësirë urbane apo tokësore, ekipi nis edhe punën.

Udhëheqësi i këtij togu, Rreshter Fitim Nika, ka treguar për KALLXO.com se planet e kërkim-shpëtimit bazohen në gjashtë pika kryesore.

“Faza e parë e këtij plani është zbulimi i terrenit, ku bëhet pra dmth vlerësohet terreni shikohen pikat qasëse ku munden me hy më lehtë me shku deri te viktimat, pastaj shikojmë mos kemi ndonjë rrezik eventual që na kanoset dhe na cenon në sigurinë tonë, faza e dytë e kërkim shpëtimit është shkëputja e shërbimeve komunale siç janë uji, gazi, rryma e të tjera dhe pastaj fillojmë me një kërkim sipërfaqësor, që nëse ka ndonjë viktimë në sipërfaqe ku mund të tërhiqet më lehtë, pastaj është kërkimi në hapësira dhe zbraztësira, këtu mund të përdorim edhe skuadrën e K9 që na ndihmojnë shumë…, këtu mundemi me përdor kamera dhe detektorë të ndryshëm që ne i posedojmë”- tregon udhëheqësi i këtij togu, Rreshter Fitim Nika.

Pas këtyre procedurave vjen edhe faza tjetër, largimi i gërmadhave.

Njësia e kërkim shpëtimit urban brenda FSK-së, Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Meqenëse nuk arrijnë të hyjnë përmes pjesëve të hapura, ushtarët duhet të përdorin pajisje të rënda për të shpuar rrënojën dhe për të gjetur e shpëtuar të ngujuarit.

Veprime të tilla, këta pjesëtarë kanë kryer edhe në realitet në kohët e fundit. Ata morën pjesë në Turqi pas tërmetit shkatërrues që ndodhi muaj më parë.

Atje qëndruan për 15 ditë disa pjesëtarë të këtij njësiti dhe arritën që të identifikojnë e shpëtojnë banorë që ishin ngujuar në objektet e rrëzuara dhe të nxirrnin viktima të shumta që humbën jetën nga tërmeti.

Rreshter, Fitim Nika i cili ka mbi 12 vite që është pjesë e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe udhëheq togun e kërkim-shpëtimit tokësor tregon se ky tog përbëhet nga 26 pjesëtarë ushtarakë të stërvitur, trajnuar dhe të aftë për të kryer secilën nga detyrat që merr nga komanda.

“Realisht ne kemi intervenime të shumta, dy me i përmend, dy të përmasave më të mëdha, ka qenë në vitin 2019 në Shqipëri dhe në 2023 në Turqi. Operacionet kanë qenë realisht të mundimshme, ne aty veçse i kemi praktiku njohuritë tona që i kemi përfituar gjatë trajnimeve dhe përvojave të ndryshme në operacionet e kërkim shpëtimit” – thotë Rreshter Nika.

Ai tregon edhe për objektet ku ka rrezikshmëri më shumë gjatë kërkim-shpëtimit.

“Sa i përket këtij dimensioni të kërkim shpëtimit urban, dmth pak më e rrezikshme nëse muj me i quajt kështu janë operacionet që zhvillohen në objekte gjysëm të rrënuara, aty pra është një rrezik më i madh siç e vlerësojmë ne si liderë të këtyre ekipeve që operojmë” – shton tutje Nika.

Nika rrëfen edhe pak momente nga ndihma që iu ofrua Turqisë në tërmetin e fundit që ndodhi atje.

“Padyshim se ne jemi ndje mirë duke marrë parasysh se një shtet si i joni që ka pasur mundësi me i shku në ndihmë një shteti mik siç është Turqia, ka qenë ndjenjë e krenarisë që jemi mburrë me të por kemi pasur edhe një ndjenjë dhembshurie duke marrë parasysh viktimat dhe dëmtimet urbane që janë shkaktuar nga tërmeti” – kujton Nika.

Një tjetër rast që kujton Nika është edhe ndërhyrja për kërkim-shpëtim në KEK kur ndodhi shpërthimi i gazit atje.

“Në Kosovë ka qenë intervenimi në KEK kur kanë eksploduar ato bocat e hidrogjenit, aty ka qenë rreziku shumë i madh për arsye se në çdo moment është pritur që të shpërthej edhe boca tjetër dhe ka pasur bombola të gazit poshtë që kohë pas kohe kanë bërë lirimin e gazit, ka qenë rrezik potencial dhe ne kemi bërë punën tonë në ato kushte ku edhe ka rezultu, kemi shpëtu jetë aty e kemi tërhequr një person ai është gjallë dhe është shëndosh”- shton Nika.

Rreshter Nika shprehet se qëllimi i këtij togu që udhëheq është të shpëtojnë jetë.

Njësia e kërkim shpëtimit urban brenda FSK-së, Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

“Qëllimi ynë është që vetëm të shpëtojmë dikë që ka nevojë për ne. Faktikisht ne i marrim masat e sigurisë paraprakisht por nuk mundemi qind për qind me eliminu rrezikun sepse aty ka rreziqe të panjohura që munden me u shfaq edhe kur ne nuk i presim”- shton ai.

Skuadra e kërkim-shpëtimit brenda Forcave të Sigurisë së Kosovës si mision ofron, lokalizimin, tërheqjen dhe stabilizimin fillestar mjekësor për të gjitha ato viktima që gjenden nën objekte të rrënuara të shkaktuara si pasojë e zjarreve, eksplodimeve të ndryshme, aksidenteve, defekteve strukturore, efekteve gjeologjike, motit të jashtëzakonshëm e të tjera.