Osmani u bën thirrje liderëve të BE-së t'i heqin masat e vendosura ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka shkuar në Bruksel me një numër të mesazheve, por në radhë të parë për të bërë thirrje për të hequr masat e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Kosovës.

Osmani i ka quajtur ‘jo të drejta e joproporcionale’ këto masa, ndërsa ka theksuar se Kosova ka bërë hapa për shtendosjen e situatës.

“Kam ardhur këtu me një numër mesazhesh, duke përfaqësuar popullin e Kosovës, në radhë të parë për t’u bërë thirrje liderëve të BE-së që menjëherë t’i heqin masat joproporcionale dhe jo të drejta ndaj Kosovës të vendosura për shkak të ngjarjeve në maj, sepse Kosova ka marrë të gjitha masat për deeskalim të situatës dhe besoj se BE-ja duhet t’i heqë ato masa sepse po dëmtojnë qytetarët e Kosovës, sepse po flasim për projekte për ujin e pijes, menaxhimin e mbeturinave, dhe projekte që ndikojnë direkt në jetën e tyre, po flas për të gjithë qytetarët”- ka thënë Osmani.

Presidentja shtoi se Kosova ende është në pritje që Bashkimi Europian të marrë masa ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë.

Osmani, para gazetarëve në Bruksel tha se Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës.

Ajo theksoi se do t’i njoftojë sot liderët europianë për informatat që kanë mbledhur organet e sigurisë lidhur me këtë çështje.

“Të gjitha informatat që ne kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja. Unë do t’i informoj sot liderët europianë për informatat që kanë mbledhur organet tona të sigurisë së bashku me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim. Këto janë alarme që duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si parandalim, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin tonë”- ka thënë ajo.

Osmani në Bruksel: Serbia po planifikon sulme të reja kundër Kosovës

www.kallxo.com