Osmani në Bruksel: Serbia po planifikon sulme të reja kundër Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para gazetarëve në Bruksel tha se Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës.
Osmani tha se do t’i njoftojë sot liderët europianë për informatat që kanë mbledhur organet e sigurisë lidhur me këtë çështje.
“Të gjitha informatat që ne kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja. Unë do t’i informoj sot liderët europianë për informatat që kanë mbledhur organet tona të sigurisë së bashku me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim. Këto janë alarme që duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si parandalim, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin tonë”- ka thënë ajo.
Para nisjes së Samitit BE-Ballkan Perëndimor, Osmani tha se Kosova po punon me partnerët që të rritet siguria në vend, sidomos rreth kufirit me Serbinë.
Ajo ka përsëritur edhe një herë vendosjen e masave ndaj Serbisë lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Basnjkë të Zveçanit.
“Për fat të keq, Serbia ende udhëhiqet nga njerëz, të cilët dëshirojnë ta kthejnë rajonin tonë në vitet ‘90. Ne nuk duhet të lejojmë që një mentalitet i tillë, një logjikë e tillë të triumfojë. Prandaj, ne po punojmë me partnerët tanë europianë që të rritet siguria në Kosovë, sidomos aspekti i sigurisë rreth kufirit me Serbinë. E dyta, që të hiqen masat ndaj Kosovës dhe të ketë masa ndaj Serbisë për shkak të agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq deri më tash nuk ka pasur ndonjë veprim, dhe nëse vazhdohet pa asnjë veprim, atëherë Serbia do ta marrë këtë si një nxitje”- ka thënë Osmani gjatë qëndrimit në Bruksel, ku do të përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.
Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Ndësa në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.