Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: S'është kompetencë e misioneve të shikojnë ligjshmërinë e vendimeve të presidentes së Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se përmendja në raportin e BE-së e shkarkimit të Valdete Dakës nga posti i kryesueses së KQZ-së nuk është kompetencë e misioneve që të shikojnë ligjshmërinë e vendimeve të presidentes por e gjykatave.

Osmani theksoi se ky vendim ka qenë në përputhje të plotë me ligjin, teksa shtoi se nuk zmbrapset nga kjo.

“Problemi i parë i këtij raporti është që ky vendim nuk ka të bëjë me procesin e 17 tetorit, është jashtë mandatit të këtij ekipi teknik. Nuk është kompetencë e misioneve që të shikojnë ligjshmërinë e vendimeve të presidentes por e gjykatave. Ky ka qenë në përputhje të plotë me ligjin. Rezultati është i qartë pasi që KQZ është dukë bërë një punë të shkëlqyeshme. Sa për mua le te më dërgojnë çdo ditë në gjykata, por nuk do të mund të më zmbrapsin”, ka thënë shefja e shtetit në një konferencë për media.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë ka prezantuar një raport fillestar mbi procesin zgjedhor të mbajtur me 17 tetor 2021.

Sipas raportit fillestar të BE-së thuhet se ekziston një dispozitë ligjore e paqartë lidhur me këtë vendim.

‘’Dispozita e paqartë ligjore e cila lejon shkarkimin e kryesuesit apo një anëtari nis nëse ata sillen apo veprojnë në mënyrë që ndikojnë seriozisht në statusin apo integritetin e KQZ-së. Kjo mund të lërë hapësira për keqpërdorimin e saj’’, thuhet në raportin fillestar të misionit të BE-së në Kosovë.

Valdete Daka ishte shkarkuar nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidentja më 14 qershor 2021, katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë pas shpalljes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Ky vendim sipas  misionit të BE-së nuk mund të mbështetet në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e lëshuara nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.