Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës/Facebook

Osmani premton angazhim maksimal për t'i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Klinën, Skënderajn e Mitrovicën dhe bizneset e familjet e prekura nga vërshimet në këto vende.

Ajo ka vizituar Klinën, Skënderajn dhe Mitrovicën dhe ka takuar krerët e këtyre komunave, Zenun Elezajn, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën.

Në këto takime, Osmani ka theksuar se që nga mbrëmë ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet e sigurisë dhe ka vlerësuar angazhimin e strukturave komunale dhe institucioneve emergjente për të ndihmuar qytetarët dhe për t’i minimizuar dëmet në ekonomi familjare.

E para e vendit ka premtuar që institucionet qëndrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet.

Vizita ka bërë edhe në biznese dhe ekonomi familjare që kanë pësuar dëme.

“Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë” – është shprehur presidentja.

Në këto tri komuna, sipas njoftimit, Vjosa Osmani ka ofruar mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, andaj angazhimi dhe solidariteti i të gjithëve është i nevojshëm në një situatë të tillë.

Foto: ZPRK
Foto: ZPRK