Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian, Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Osmani pas takimit me Stoltenberg: Veriu ka qenë dhe do vazhdojë të jetë pjesë përbërëse e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel.

Osmani pas takimit theksoi se NATO është fati i Kosovës dhe se i është mirënjohëse Stoltenberg për lidershipin e tij në këtë kohë.

“NATO-ja është fati ynë siç e thash edhe në takimin tonë bilateral, jemi shumë mirënjohës për lidershpin e sekretarit të përgjithshëm në NATO për këtë kohë kogja të rëndë. Shpreh mirënjohjen e rolit të NATO-s në rolin që ka luajtur në shpëtimin e jetëve tona dhe rolin që luan edhe sot për të siguruar paqe dhe siguri në rajon”- ka thënë Osmani.

Ajo theksoi se ka forca keqdashëse që po mundohen ta sfidojnë dhe rrënojnë Kosovën.

“Për shkak se Kosova është forcë historike e NATO-s, ka forca keqdashëse që duan ta sfidojnë dhe rrënojnë atë. Nuk duhet ta lejojmë këtë që të ndodh. Kosova dhe rajoni rrezikojnë të bëhen pika të ndezjes për shkak të keqdashjes ruse dhe agjendës destabilizuese të duarve të zgjatura. Kosova po jeton ndërhyrje të huaja të paligjshme  dhe obstruksion të autoritetit legjitim të vendit tonë në veri dhe në shumë raste kjo ka sjellë dhe agresion siç është definuar nga e drejta ndërkombëtare dhe praktikat” – tha Osmani.

Presidentja ka nënvizuar se veriu i ka qenë dhe do vazhdojë të jetë pjesë përbërëse e Kosovës teksa shtoi se nuk do lejojë që të bëhet fushëbetejë “për arritjen e  ambicieve hegjemoniste të autokratëve rajonal”.

“Veriu i Kosovës ka qenë dhe do vazhdojë të jetë pjesë përbërëse e Republikës së Kosovës. Nuk do lejojmë që veriu i Kosovës të bëhet fushëbetejë për arritjen e  ambicieve hegjemoniste të autokratëve rajonal. Jemi të përkushtuar për të integruar komunitetin lokal dhe duke i ruajtur të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë”- u shpreh ajo.

Më tej, Osmani ka thënë se në marrëveshjen e vitit 2013 përmendet vetëm Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe jo edhe Policia e Kosovës.

“Marrëveshja e vitit 2013 fokusohet vetëm FSK-ja. Policia e Kosovës ka vepruar dhe ka ushtruar mandatin e vet kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës më shumë se dy dekada. Dje e festuam dhe shënuam përvjetorin e Policisë së Kosovës dhe që është forca më profesionale dhe shumë etnike. Si parim i koordinimit, si presidente insistojë që të bashkëpunojmë me aleatët tanë jo vetëm për veriun. Duhet të punojmë me aleatët tanë për secilin centimetër të territorit për gjithë rajonin”- deklaroi Osmani.

Deklarata e saj erdhi pas fjalës së Stoltenberg i cili tha se në përputhje me përkushtimet e Prishtinës të vitit 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociim me KFOR-in.

“Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës të vitit 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociim me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave policore të Kosovës, që mund të ketë ndikim në siguri”- tha ai paraprakisht.

Osmani gjatë fjalës së saj përmendi datën e 29 majit, sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it nga strukturat ilegale serbe.

“29 maji na ka treguar të gjithëve se ata që janë kundër Kosovës janë dhe kundër NATO-s. Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it ka shfaqur këto forca destruktive keqdashëse që duan të sulmojnë sistemin e bazuar në vlerat mbi të cilat ndërtohemi ne. Sigurisht që punojmë me NATO-n dhe KFOR-in. Marrëveshja e vitit 2013 ka qenë  e ngushtë dhe për të gjitha institucionet tona të sigurisë ne synojmë që në të ardhmen e afërt të jemi pjesë e institucioneve euroatlantike”- ka thënë Osmani.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut po hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Për shkak të tensioneve në veri, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

Takimi i 14 shtatorit, është i pari që mund të realizohet mes Kurtit dhe Vuçiqit prej rritjes së tensioneve në veri, qysh në fund të majit.