Osmani në Kuvend: Shqipëria është zëri ynë aty ku nuk kemi përfaqësim

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se është e rëndësishme që shqiptarët në rajon ta unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtare.

Ajo tha se Kosova duhet të qëndrojë krah Shqipërisë gjithmonë pavarësisht dallimeve që mund të kenë.

Gjatë fjalimit vjetor në Kuvendin e Kosovës, ajo ka thënë se Shqipëria është zë për Kosovën aty ku nuk ka përfaqësim.

“Me qëllim të shtyrjes përpara të prioriteteve tona, është e rëndësishme që shqiptarët në rajon ta unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Shqipëria është zëri ynë aty ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm si shtet simotër por edhe aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi”- ka thënë Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani e ka nisur fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës me sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë me 24 shtator, ndersa ka folur për sfidat e Kosovës gjatë këtij viti.

Osmani shtoi se sulmi i 24 shtatorit është tregues se Serbia nuk është e interesuar për paqe, fqinjësi të mirë e as për përmbyllje të dialogut.

Ajo tutje gjatë raportimit ka kërkuar unifikim ndërpartiak lidhur me çështjen e draft-statutit të Asociacionit të hartuar nga SHBA e BE.

Osmani ka thënë se për këtë temë përveç konsultimeve me kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e Kuvendit ka ftuar edhe liderët e partive opozitare të ndërtohet një qëndrim i unifikuar.

Osmani fton partitë për qëndrim të unifikuar lidhur me draft-statutin e Asociacionit