Vjosa Osmani - LDK

Osmani: Marrëveshja përfundimtare më Serbinë duhet të kalojë përmes Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se çfarëdo marrëveshje përfundimtare që arrihet me Serbinë duhet të kalojë nëpërmjet Kuvendit.

Këtë deklarim Osmani e ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar me  ambasadoren finlandeze Pia Stjernval.

Kryeparlamentarja Osmani po ashtu ka theksuar se është e domosdoshme transparenca përgjatë gjithë këtij procesi.

“Kryetarja Osmani tha se çfarëdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë duhet të kalojë nëpërmjet Kuvendit. Sipas saj, para se të arrihet marrëveshja përfundimtare, është e domosdoshme që Kuvendit t`i dorëzohet platforma e bisedimeve për të cilën duhet të arrihet konsensus i gjerë”, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Osmani ka biseduar edhe për tema të tjera me ambasadoren finlandeze siç është edhe menaxhimi i pandemisë COVID

“U bisedua për fillimin e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit të Kosovës dhe fuqizimin e rolit të këtij institucioni në procesin e dialogut me Serbinë”, thuhet në komunikatë.

Me prezencën e konfirmuar të Presidentit amerikan Donald Trump, sot në Uashington të SHBA-së është paralajmëruar nënshkrimi i një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Takimi i sotëm i paraprin atij të së enjtes, për të cilin u diskutua mes tjerash edhe një pikë e marrëveshjes, në të cilën  siç raportuan mediat serbe, Serbisë i kërkohej njohja e Kosovës.

Por kjo pikë e dokumentit, sipas palës serbe është refuzuar nga ta, ndërkaq emisari amerikan për dialogun mes  Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell i hodhi poshtë raportimet, duke i quajtur të pavërteta.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka quajtur historik takimin që sipas tij është një hap drejt përmbylljes së marrëveshjes finale me Serbinë.