Osmani i reagon ashpër Daçiqit pas deklaratave që mohojnë krimet e Serbisë

U.D e Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka reaguar ashpër Kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se Madeleine Albright dhe Bill Clinton kanë gënjyer kur kanë thënë se serbët kanë kryer gjenocid e kanë vrarë civilë.

Me anë të një postimi në Twitter, Osmani është shpehur, se kjo është një deklaratë e patolerueshme, e neveritshme dhe çnjerëzore.

“Edhe një herë po i shohim liderët serbë duke deklaruar gënjeshtra dhe duke i mohuar krimet e luftës. Duke thënë se Presidenti Bill Clinton dhe Sekretarja Medeleine Albrigh gënjeyen botën kur ata ndanë historinë e gjenocidit të kryer nga regjimi serb në ‘99 është e patolerueshme, e neveritshme dhe çnjerëzore”, ka thënë Osmani.

Osmani tutje është shpehur se krimet e kryera s’mund të fshihen pasi që  edhe vet ky akt përbën një krim në vete.

Ajo ka shtuar se tregimi i historisë së gjenocidit në Kosovë është i domosdoshëm, ngase heshtja është një mohim i gjenocidit.

“Krimet e kryera nuk mund dhe nuk duhet të fshihen, pasi fshehja e krimit është një krim i ri në vetvete, aq i tmerrshëm sa i pari. Tregimi i historisë së gjenocidit serb në Kosovë është i domosdoshëm, sepse zgjedhja për të heshtur është një mohim i ekzistencës së gjenocidit. Kur presidenti Clinton dhe sekretarja Albright folën, ata zgjodhën të vërtetën mbi gënjeshtrën, humanizmin mbi jonjerëzoren, ata zgjodhën të mbrojnë jetët, dinjiteti dhe të drejtat e ekzisitimit të njerëzve të Kosovës. Për këtë ne jemi falënderues përgjithmonë”,  ka shkruar ajo.