Foto: Kallxo.com

Arsim Canolli: Rrëfimet për masakrën e Krushës së Madhe duhet t’i tregohen botës

Forcat policore dhe ushtarake të Serbisë kryen masakra të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së viti 1998-1999, në tërë territorin e Kosovës.

Në dhjetëra masakra të kryere nga shteti serb u masakruan mijëra civil ku nuk u kursyen as gratë pleqtë e fëmijët.  Një pre atyre masakrave është ajo e Krushës së Madhe në Rahovecit.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më mizore të kryera nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe, mbi civilët shqiptarë gjatë luftës në Kosovë (1998-99).

Për të memorializuar rrëfimeve për krimet e kryera nga forcat ushtarake e policore serbe në Krushë, dy vite më parë nisi realizimi i projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”.  Ky projekt parasheh mbledhjen, dokumentimin dhe vënien në dispozicion për publikun të dindra intervistave të të mbijetuarve që kanë qenë dëshmitarë dhe përjetuar këtë masakrë.

Udhëheqësi i këtij projekti, Arsim Canolli, profesor në Fakultetin Filozofik të Universitetit Publik, “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në një bisedë për KALLXO.com tha se më 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe forcat serbe vranë dyqind e katërdhjetë e një [241] civilë të paarmatosur, ku 206 prej tyre ishin banorë të Krushës së Madhe dhe 35 ishin nga fshatrat përreth, të cilët në rrethana lufte kishin gjetur strehim në Krushë të Madhe.

Canolli ka thënë se gjatë vitit 2021-2022 janë mbledhur 202 intervista me të mbijetuarit e masakrës, nga 35 studentë të Universitetit të Prishtinës, kryesisht të Departamentit të Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, nën mbikëqyrjen e profesorëve.

“Puna hulumtuese e intervistuese ka kërkuar kohë dhe energji. Por, krushjanët ia kanë dalë të triumfojnë mbi dhimbjen e tyre dhe ta japin rrëfimin e tyre personal, ashtu si e kanë përjetuar në realitet, për masakrën që ka ndodhur në fshatin e tyre. Rrëfimet ende janë në proces të transkriptimit, por në përgjithësi secili rrëfen përvojën dhe nuk do fjalë se ndonëse ka shumë variante e perspektiva, varësisht se ku kanë qenë e si e kanë përjetuar, por mbizotëron fakti se banorët e pafajshëm të Krushës janë masakruar e djegur e 64 prej tyre ende nuk janë gjetur”-ka thënë Canolli.

Canolli thotë se për të përkujtuar viktimat e kësaj masakre do të ndërtohet edhe një muze (Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe). Ky, muze thotë ai është në ndërtim e sipër, te varrezat e Krushës së Madhe.

“Sa kemi dijeni, aty do të vendosen rrëfimet dhe do të kurohet një ekspozitë që tregon rrëfimin për mizoritë në Krushë. Po presim të shohim se si do të planifikohet në të ardhmen. Rrëfimi për masakrën e Krushës së Madhe dhe gjithë masakrat e luftës së fundit është rrëfim që duhet t’ia tregojmë botës. Kujtesa e masakrave nuk duhet të harrohet. Ajo duhet të jetë shenjë e ërhershme vetëdijësuese për dinjitetin njerëzor, parandalim për luftërat dhe gjenocidin”-tha Canolli.

Më 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe forcat serbe vranë 241 civilë të paarmatosur. Por, nuk e lanë më kaq. Sipas Canollit forcat serbe dogjën edhe mbi [900 shtëpi, përfshirë institucionet fetare dhe kulturore, siç janë Xhamia e fshatit, Shtëpia e kulturës, Biblioteka dhe Kinemaja; shkatërruan pasuritë e fshatarëve duke plaçkitur apo vjedhur mjetet e punës, pajisjet bujqësore dhe më shumë se 200 bagëti.

“Pasojat nga kjo tragjedia janë shumë të mëdha”-  ka thënë Canolli.

Në Krushë të Madhe sot mungojnë akoma 64 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet gjë. Njëzet e një 21 vjet pas masakrës, ende vijojnë përpjekjet për të hedhur dritë mbi fatin e të zhdukurve.