Ukshin Hoti | Foto kortezi nga familja Hoti

24 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit, Kurti thotë se se zhdukja e tij është krim i pazbardhur i Serbisë

Kryeministri i Kosovës Albin përmes një postimin në Facebook ka kujtuar intelektualin Ukshin Hoti i cili është zhdukur që nga 16 maji i 1999 dhe ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të.

Kryeministri Kurti ka thënë se pas torturave që i përjetoi si i burgosur politik nga regjimi serb, atdhetari dhe intelektuali Ukshin Hoti u lirua nga burgu në mes të luftës, më 16 maj 1999 dhe pas lirimit nga burgu i Dubravës, ai u zhduk.

“Zhdukja e tij është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb ‘Patkoi’ për shfarosjen e shqiptarëve. Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës” – ka shkruar kryeministri Kurti.

Kurti ka potencuar se Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, siç ka shkruar ai, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë.

Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia.

“Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij. Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”- ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.