Ambasadori William Walker: Burimi i fotos - Zëri i Amerikës

Rrëfimi i William Walker për 23-vjetorin e masakrës së Reçakut

Ish-udhëheqësi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, përmes një video-mesazhi ka përkujtuar 23-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Walker nuk ka mundur të jetë në Kosovë për shkak të pandemisë COVID-19 dhe ka shprehur keqardhje që nuk gjendet ne mesin e njerëzve që po përkujtojnë tragjedinë e Reçakut.

“Së pari më lejoni të shprehë dhimbjen, zhgënjimin tim që nuk jam ne mesin e njerëzve që po përkujtojnë ngjarjet tragjike të 15, 16 janarit 1999 në fshatin Reçak”, tha ai.

“Kjo është një shprehje e zhgënjimit tim që nuk jam aty për ata nga vetë fshati. Ata nga Shtimja që më kanë pritur ndër vite dhe sot të kombit në tërësi dhe shqiptarëve nëpër botë dhe vetë botës, të cilët mendoj se të gjithë duhet t’i kushtojnë vëmendje këtij përkujtimi të asaj që ndodhi në Reçak në vitin 1999”, theksoi ai.

Walker ka shtuar se ka parë që çdo vit e më shumë është rritur rëndësia e të kuptuarit të asaj që ndodhi në Reçak dhe çfarë pasoi tutje, duke shtuar se fshati dhe ngjarja e ka një vend të veçantë në zemrën e tij.

“Kurrë nuk do ta harroj se sa herë jam kthyer gjatë këtyre 22 viteve kam parë rimëkëmbjen e këtij fshati që ka qenë aq shumë i dëmtuar nga ngjarjet e datës 15 janar 1999. Dhe kjo vlen edhe për vetë Kosovën”, tha ai.

Walker ka shtuar se ndjehet pak i zhgënjyer kur dëgjon për reduktimet e rrymës në Kosovë dhe se Kosova nuk e ka plotësisht nën kontroll situatën me COVID-19.

“Këto gjëra më pengojnë, brengosem për to. Mirëpo, kur e shoh progresin jam i impresionuar nga ndikimi që Reçaku dhe ngjarjet e ngjashme kanë pasur në aspektin e zhvillimit të këtij shtetit të ri sovran në zemër të Evropës”, tha ai.

23 vite që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, por përkundër kohës së gjatë që ka kaluar, deri më tani asnjë person nuk është gjetur përgjegjës për këtë krim makabër mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.

Njeriu i parë i cili e kishte cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, kishte qenë kreu i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker.

Walker kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat dhe i njëjti e kishte alarmuar botën për krimin që po ndodhte mbi popullatën e pafajshme civile në Kosovë.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.

Hetimet për masakrën e Reçakut i ka marrë përsipër Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në anën tjetër, Serbia i ka mohuar krimet e kryera në Reçak, duke e quajtur trillim masakrën.