Osmani: Enver Zymeri është heroi i Kosovës së sotme

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar policin Enver Zymberi i cili ndërroi jetë më 26 korrik të vitit 2011 si pasojë e plagëve të marra, në një sulm të armatosur kundër policisë së Kosovës në veri.

Presidentja Osmani ka thënë se Zymberi është heroi i Kosovës së sotme, i cili u vra në krye të detyrës nga strukturat kriminale serbe në mbrojtje të shtetit ligjor.

“Në 11-vjetorin e rënies, e kujtojmë sot heroin Enver Zymberi, i cili ra në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës, për të cilën gjë i përkulemi sot e përjetësisht. Ai është heroi i Kosovës së sotme, i cili u vra në krye të detyrës nga strukturat kriminale serbe në mbrojtje të shtetit ligjor”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Poashtu presidentja Osmani ka thënë se sot kujtohen edhe 21 policët e rënë në detyrë, që prej themelimit të Policisë së Kosovës.

“Ata janë nderi, krenaria dhe përpjekja për një për ndërtimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë. Policët tanë janë e tashmja dhe e ardhmja e sigurt për qytetarët dhe për shtetin e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Sot në Kosovë është dita e policëve të rënë në detyrë.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.

Në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, ROSU, ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato.

Por ROSU hasi në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Përkujtohen 21 policët e rënë në krye të detyrës