Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Osmani: Dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar se takimi i 27 shkurtit në Bruksel, shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, sipas Osmanit dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.

“Me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit” – ka thënë Osmani.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina ka thënë se sipas Osmanit, propozimi i kontribuon paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.

“Presidentja vlerëson se nëse marrëveshja zbatohet në mënyrë burimore, ajo do të përcaktonte parime të rëndësishme për relacionet ndërmjet palëve, duke i vendosur si të barabarta, me respekt reciprok dhe në përputhje me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë parimin e respektimit të integritetit territorial”- ka thënë Kupina.

Osmani ka thënë se procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohjen reciproke, dhe sipas saj, Plani Evropian mund të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.

Ajo tutje ka thënë se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë, sipas saj preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Propozimi evropian, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të mbrëmshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kryetema e këtij plani ishte perceptuar të jetë marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo kjo marrëveshje nuk përmendet veçmas në asnjë nga 11 nenet e këtij plani.

Mirëpo, pika e parafundit e këtij plani, pika e 10-të, në përmbajtjen e saj e përfshinë edhe marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti: Pala serbe nuk ishte e gatshme ta nënshkruajë planin franko-gjerman, unë po