Organizata ‘Reporterët pa kufinj’ dënon sulmin ndaj ekipit të Kallxo.com në Mitrovicën e Veriut

Organizata ‘Reporterët pa Kufij (RSF), e ka dënuar sulmin ndaj ekipit të KALLXO.com, në mëngjesin e hershëm të së premtes në Mitrovicë të Veriut.

Përmes një postimi në Twitter, RSF ka kërkuar nga Policia që të kryej një hetim të shpejtë dhe të ofrojë siguri për gazetarët.

“Gazetarja Shkodrane Dakaj dhe producenti Valdet Salihu nga KALLXO.com u sulmuan nga një grup personash të maskuar përderisa po mbulonin ngjarjet për tensionet në Mitrovicën e Veriut. RSF dënon sulmin dhe i kërkon policisë të kryejë një hetim të shpejtë dhe të sigurojë sigurinë e gazetarëve”- shkruan RSF.

Makina me të cilën po udhëtonin ekipi i KALLXO.com, producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj janë sulmuar mëngjesin e sotëm nga persona të maskuar në afërsi të Shkollës Teknike në qytetin e Mitrovicës së Veriut.

Ekipi i cili po udhëtonte me makinën e zyrës në drejtim të Mitrovicës së Veriut është sulmuar nga grupi i personave të maskuar të cilët po qëndronin në udhëkryqin e kësaj lagjeje.

Sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e tjerë të grupit.

Dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike duke u larguar me shpejtësi në drejtim të zonave të tjera të Mitrovicës.

Sulmohet ekipi i Kallxo.com në Mitrovicën Veriore (Pamje)