Organizata 'Bashkë për Shëndetin' bënë thirrje për respektim të masave anti COVID-19 nga partitë politike

Organizata ‘Bashkë për Shëndetin’ ka bërë thirrje që në fushatën zgjedhore të respektohen masat mbrojtëse anti COVID-19.

Përmes një postimi në facebook kjo organizatë e ka parë me shqetësim organizimin e tubimeve publike në hapësira të mbyllura nga partitë politike, pa siguruar distancë dhe mbajtjen e maskave.

“U bëjmë thirrje partive politike që të zbatojnë udhëzimet e mjekëve dhe ekspertëve shëndetësorë, të evitojnë sa më shumë që të jetë e mundur takimet publike në hapësira të mbyllura, të obligojnë të gjithë pjesëmarrësit në të gjitha takimet që të mbajnë distancën prej dy metrash dhe të detyrojnë mbajtjen e maskave gjatë gjithë aktiviteteve”, thuhet në reagim.

Tutje organizata e ia lutur qytetarët që t’u shmangen turmave elektorale, si dhe ta vendosin çështje parësore shëndetin e tyre dhe të familjeve.

Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt, partitë politike kanë filluar tubimet me qytetarët për të shpalosur programet e tyre.

Mirëpo disa nga këto parti janë dënuar nga Inspektorati pikërisht për shkak të mosrespektimit të masave anti COVID-19.

Sot Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 2 mijë euro nga Komuna e Prishtinës si shkak i tubimeve zgjedhore në kundërshtim me masat kundër pandemisë.

Dënime të tilla kanë marrë edhe LVV-ja, AAK-ja e Nisma Socialdemokrate.

Nisma e AAK gjobiten me nga 2 mijë euro nga Komuna e Prishtinës