Dështon rezoluta e tri partive opozitare me rekomandime për rishqyrtim të masave anti - COVID-19

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 41 vota kundër dhe 21 për nuk i kanë miratuar rekomandimet e grupeve parlamentare të opozitës për rishqyrtimin e masave anti-COVID-19.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në emër të tri grupeve parlamentare opozitare ka prezantuar rezolutën për rishqyrtimin e masave.

“Ne do të kërkojmë masa, janë disa propozime që do t’i lexoj dhe të cilat nëse e marrin aprovimin e juaj atëherë do të shndërrohen në dokument zyrtar dhe do t’u shpërndahen deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj.

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka shpjeguar arsyet pse nuk e mbështesin këtë rezolutë.

“Në rezolutën e propozuar nga partitë opozitare, këtu kërkohet në mesin e tjerave që të sillet ligji i pagave që më herët është refuzuar në një rezolutë tjetër të Kuvendit, prapë tentohet të devijohet duke folur për hetime, keqpërdorime, të gjitha këto kompetenca të organeve të pavarur të cilat nuk kanë nevojë të diskutohen në rezolutë të Kuvendit. Grupi parlamentar i LVV nuk mund ta mbështesim dhe do të votojmë kundër saj”, ka thënë Kusari-Lila.

“Mocioni për votim është i kategorisë së rekomandimeve”, ka konstatuar kryesuesi i seancës Kujtim Shala.

Pikat e rezolutës së propozuar nga tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, janë këto:

  1. Qeveria me urgjencë të shqyrtojë masat kufizuese pas konsultimit me ekspertë shëndetësorë dhe me nivele lokal të ketë masa konform situatës pandemike;
  2. Të hartojë në kohë strategji për vendosjen në kohë të masave të kufizimeve, larg masave të cilat merren në panik, ku ato prodhojnë vetëm situatë paniku;
  3. Qeveria të prezanton para Kuvendit planin e vaksinimit për vitin 2022;
  4. Qeveria të sigurojë testime masive, mobile në shkolla, institucione publike dhe private me qëllim të gjurmimit dhe monitorimit të vazhdueshëm të rasteve me COVID-19;
  5. Qeveria në konsultim me ekspertë shëndetësorë të miratojë strategjinë për menaxhim të pandemisë dhe rritjeve të kapaciteteve për trajtim të COVID-19, pa i bllokuar shërbimet tjera shëndetësore të cilat vlejnë edhe për institucionet private shëndetësore;
  6. Keqpërdorimet financiare në emër të pandemisë, blerje të barnave dhe pajisjeve mjekësore me çmime abuzive të adresohen në organet e hetuesisë;
  7. Me urgjencë të sillet ligji për pagat për miratim në Kuvendin e Kosovës;
  8. Masat e ndërmarra për kufizim të lëvizjes së lirë të koordinohen me shtetet e rajonit sidomos me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kuvendi ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të rendit të ditës ishte debati parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19.

Ndërsa për seancën e paraparë të mbahet në orën 15:00, është thënë se do mbahet gjatë javës së ardhshme.

Gjashtë qytetarë kanë vdekur nga COVID-19 ndërsa janë regjistruar 3 mijë e 917 raste të reja me këtë virus në 24 orët e fundit në Kosovë.