Nisma e AAK gjobiten me nga 2 mijë euro nga Komuna e Prishtinës
Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka njoftuar se Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë dënuar me nga 2 mijë euro për shkak të mosrespektimit të masave kundër COVID-19.
Përmes një postimi në facebook, Tahiri ka thënë se janë duke u angazhuar për të identifikuar të gjithë ata që i shkelin këto masa.
“Vazhdojmë me shqiptimin e gjobave për subjektet politike që organizojnë tubime në kundërshtim me vendimet qeveritare dhe ligjet në fuqi. Inspekcioni i Rendit Komunal po angazhohet në identifikimin dhe marrjen e masave ndaj secilit subjekt – shkelës të ligjit – brenda territorit të Kryeqytetit”, ka shkruar Tahiri.
Ditë më parë për mos respektim të masave është dënuar edhe partia e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, LDK-ja.