Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Rritja e rasteve me COVID-19 edhe për një kohë e pashmangshme

Kryeministri Albin Kurti  ka thënë se me masat e reja kundër COVID-19, të aprovuara nga Qeveria synohet që të ngadalësohet rritja e numrit të rasteve me koronavirus.

Kurti tha se në dy javët e fundit rastet ditore janë rritur më shumë së dhjetëfish dhe ka filluar të vërehet një rritje e dukshme në numrin e hospitalizimeve dhe humbjeve të jetës.

“Si qëllim kryesor i masave është që së paku ta ngadalësojmë rritjen enorme të rasteve të reja sepse nuk mund ta ndalim, por të paktën ta ngadalësojmë. Ne na duhet medoemos ta reduktojmë sa më shumë shpejtësinë e përhapjes së virusit dhe një ngadalësim i tillë u jep mundësi qytetarëve të vaksinohen. Interesimi për t`u vaksinuar po shtohet, qytetarëve po u përgjigjen thirrjeve”.

Ai shtoi se sipas të dhënave, nga korriku 2021 deri më 25 janar 2022, 74% e të infektuarve kanë qenë të pavaksinuar dhe se mbi 80% e rasteve të vdekjeve kanë qenë te pavaksinuar.

“Përkundër numrit të madh të të vaksinuarve, nuk na ofrojnë siguri për ditët dhe muajt në vijim. Rritja eksponenciale e rasteve të paktën për një kohë do të jetë e pashmangshme çfarëdo kufizime që vendosim”, ka thënë Kurti.

Kurti nga foltorja e Kuvendit ku po diskutohet për situatën më pandeminë COVID-19, ftoj qytetarët të vaksinohen.

Kuvendi po mbanë sot seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të rendit të ditës-debat parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19.

Kosova shënoi të mërkurën rekord të rasteve me COVID-19 që nga shpërthimi i pandemisë në vend.