Kryeministri britanik Johnson festoi ditëlindjen gjatë pandemisë

Zyra e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, e ka pranuar se stafi është mbledhur në selinë  e kryeministrit për të festuar ditëlindjen në kohën kur ende ishin në fuqi masat anti COVID-19, raporton BBC.

ITV News raporton se deri në 30 persona morën pjesë në eventin e qershorit 2020, kënduan ‘Happy Birthday’ dhe u shërbyen me tortë.

Nga selia e kryeministrit britanik u tha se stafi ishte “mbledhur shkurtimisht për t’i uruar kryeministrit ditëlindjen”, duke shtuar se ai kishte qenë atje “për më pak se 10 minuta”.

Masat anti-COVID-19 të asaj kohe ndalonin shumicën e tubimeve në ambiente të mbyllura me më shumë se dy persona.

ITV News tha se ngjarja e ditëlindjes kishte ndodhur në dhomën e kabinetit vetëm pas orës 14:00 më 19 qershor 2020, duke shtuar se kishte qenë një surprizë për Johnson, pasi ai u kthye nga një udhëtim zyrtar në një shkollë në Hertfordshire.

Gjithashtu u raportua se miqtë e familjes ishin pritur në rezidencën e kryeministrit atë mbrëmje.

Por një zëdhënës nga selia e kryeministrit britanik tha: “Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Në përputhje me rregullat në atë kohë, kryeministri priti një numër të vogël anëtarësh të familjes jashtë atë mbrëmje.”

Dhe një burim i tha gjithashtu BBC-së se mbledhja e dytë kishte përfshirë një ndejë ku ishte përgatitur një skarë në kopshtin e selisë së kryeministrit me anëtarët e familjes së Johnson.

Sipas kufizimeve në fuqi në atë kohë, deri në gjashtë persona mund të mblidheshin jashtë në një distancë të caktuar ndërmjet vete.

Përgatiti: Arta Sopi