ORCA liston profesorët politikë

Përmes një aksioni simbolik para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka kërkuar që profesorët dhe asistentët në UP, që janë kandidatë për deputet, të tërhiqen nga këto pozita, nëse zgjedhen deputet.

Sipas një hulumtimi të kësaj organizate, partitë politike kanë  kandidatë në radhët e tyre gjithsej 35 persona që punojnë si profesorë apo asistentë në UP.

Sipas ORCA-s, PDK dhe LDK kanë nga 11 kandidatë, AAK-PSD kanë 8 kandidatë dhe Vetëvendosje ka 5 kandidatë.

“Është në rastin më të mirë joetike, e në rastin më të keq abuzive, që në një vend ku papunësia tek të rinjtë është 54%, që i bie që çdo i dyti nga radhët tona është i papunë, një funksionar shteti t’i marrë 2 e më shumë paga nga buxheti i shtetit. Na lejoni t’ju rikujtojmë se paga e deputetit që është një nga pagat më të larta në vend, që merret nga buxheti i shtetit. Po ashtu ajo e profesorit në universitet, që merret nga buxheti i shtetit, si dhe ajo e zyrtarëve të partive që merret nga buxheti i shtetit, pasi partitë financohen nga shteti”, ka thënë Gramos Buçinca nga kjo organizatë.

Sipas Buçincës, puna si profesor apo asistent në universitet, kërkon përkushtim të madh dhe puna me orar të plotë prej 8 orësh, ia pamundëson këtyre kandidatëve që t’i kryejnë të dyja punët mirë.

Buçinca ka thënë se në të kaluarën, deputetët që ishin edhe profesorë, kanë miratuar një Ligj që i favorizon ata.

“Ata në mandatet e kaluara e kanë bërë pikërisht ligjin aktual, absurd,  për parandalimin e konfliktit të interesit, në favor të tyre. Ky ligj u lejon atyre të punojnë, apo më mirë të them, TË MOS PUNOJNË POR TË PAGUHEN PËR 2, 3 E MË SHUMË VENDE PUNE me të ardhura që kapin vlerat e mbi 4000 Eurove në muaj, ndërkohë që 15% e qytetarëve jetojnë në varfëri të skajshme. Ne konkludojmë se pavarësisht pallavrave të partive për luftën kundër punësimeve nepotike e partiake, realiteti që shihet në listat e tyre është ndryshe. Ato vazhdojnë të mos pajtohen me kapjen e institucioneve arsimore nga partitë kundërshtare, por jo nga anëtarët e partive të veta, tha ai.

Sipas Gramos Buçincës, ORCA ka  dy kërkesa për partitë politike dhe kandidatët.

“Më e pakta që ato mund të bëjnë tash në prag të zgjedhjeve është: T’i bëjnë kandidatët e tyre të deklarohen se në rast se fitojnë ata do të tërhiqen nga puna në arsim. Partitë duhet të deklarohen në këto zgjedhje se a do ta ndryshojnë ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, ashtu që të mos u lejohet më asistentëve dhe profesorëve të jenë edhe deputetë e zyrtarë të tjerë shtetëror”, deklaroi Buçinca.

Këta janë kandidatët për deputetë që  janë edhe profesorë apo asistentë.

LDK – Vjosa Osmani, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Muhamet Hamiti, Haki Demolli, Rexhep Gjergji, Sevdije Alshiqi, Marigona Geci Lala, Ibish Mazreku, Mimoza Shahini.

PDK – Hajredin Kuçi, Eliza Hoxha, Idriz Vehap, Ferat Shala, Ramë Vataj, Gentiana Beqa Ahmeti, Blerim Latifi, Ilir Kurtishi, Kadri Kurtishi, Sabiha Shala, Sejdi Hoxha.

AAK-PSD – Afrim Hoti, Salih Salihu, Albena Reshitaj, Driton Çaushi, Naser Pajaziti, Besa Luzha, Besim Muhadri.

Vetëvendosje – Shpejtim Bulliqi, Fitim Uka, Sabri Kiçmari, Driton Vela, Besa Berberi.