Opsionet për zgjedhje të parakohshme, LVV-ja pret unifikimin e opozitës për shpërndarjen e Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje publike dy partive tjera opozitare, LDK- së dhe AAK-së, që ta mbështesin mocionin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme më 30 qershor ose 7 korrik 2024, por këto dy parti insistojnë në opsione tjera. E LVV-ja pret nga opozita të flas me një zë.

Partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Nga grupi më i madh opozitar në Kuvend, PDK, më 20.05.2024 njoftuan se me gjithë bisedimet intensive, opozita ende nuk ka arritur një dakordim mes vete për këtë çështje.

“E kemi thënë në vazhdimësi se të gjitha dëmet dhe pasojat që po i vuajmë sot si qytetarë të këtij vendi dhe si shtet janë për shkak të qeverisjes jashtëzakonisht të dobët dhe degraduese. Prandaj është mirë që së bashku, dakordimin apo gjuhën e përbashkët që kemi pasur si opozitë, ta finalizojmë me një seancë e cila do të mbahej javën e ardhshme”- ka thënë shefi i Grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri.

Nga partia në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se e mbështesin mocionin për shpërndarje të Kuvendit me kushtin që partitë opozitare të thonë ‘po’ njëzëri.

“Si pozitë jemi deklaruar se në rast se ka unitet mes grupeve parlamentare të opozitës për shpërndarje të Kuvendit- ne e mbështesim [shpërndarjen e Kuvendit]. Megjithatë, nuk mund ta bëjmë këtë vetëm me një grup parlamentar të opozitës”- ka deklaruar shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari- Lila.

Procedura e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës fillon me kërkesën e 1/3 së deputetëve për seancë të jashtëzakonshme, rendi i të cilës përbëhet vetëm nga mocioni për shpërndarjen e Kuvendit. Në mënyrë që ky mocion të konsiderohet i suksesshëm, duhet të jetë i mbështetur nga 80 deputetë, së paku.

Për dallim nga PDK-ja, dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk po e mbështesin shpërndarjen e Kuvendit me arsyetimin se duan zgjedhje të reja përmes shkarkimit apo dorëheqjes së Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se shpërndarja e Kuvendit mbetet opsioni më i arritshëm.

Mirëpo, se përjashton dorëheqjen e qeverisë.

“Ndonëse, në kontekstin ekzistues, rezultati i shpërndarjes së Kuvendit apo dorëheqjes së qeverisë është identik, ndërmjet këtyre dy mënyrave ka dallime të mëdha. Duke vlerësuar mundësitë aktuale, shpërndarja e Kuvendit mbetet opsioni më i arritshëm, kësodore nuk gjykoj të ketë situatë që përligjë dorëheqjen e qeverisë, e cila zakonshëm karakterizohet nga ekzistenca e ndonjë skandali të shquar apo dështimi madhor”- tha ai për KALLXO.com.

Nga 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës, 56 i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, 18 Partisë Demokratike të Kosovës, 16 Lidhjes Demokratike të Kosovës, 8 Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, 9 ulëse i ka Lista Serbe, 8 Grupi Multietnik dhe 5 deputetë janë pa grup parlamentar.

Grupi Multietnik në Kuvendin e Kosovës ende nuk kanë qëndrim për shpërndarjen e Kuvendit.

Enis Kervan, shef i këtij grupi ka thënë për KALLXO.com se nuk janë ftuar as nga opozita e as nga pozita lidhur me ketë çështje.

“Deri sot nuk kemi pas asnjë ftesë për takim as nga pozita as nga opozita. Kur të na ftojnë partitë politike marrin vendim dhe ashtu veprojmë sipas qëndrimeve partiake”- tha ai.

Lidhur me ketë çështje KALLXO.com ka kërkuar informacione edhe nga Lista Serbe, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

E të drejtë vote për ta shpërndarë ose jo Kuvendin kanë edhe deputetët pa grup parlamentar.

Ish deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli, tani deputet i pavarur ka thënë për KALLXO.com se vota e tij varet nga arsyet pse shpërndahet Kuvendit.

“Nëse kërkohet për arsye që Perëndimi nuk po avancon Kosovën nuk do votoj për shpërndarjen. Nëse arsye që shpërbehet Kuvendi janë arsyet e brendshme të Kosovës unë do votoj për shpërndarje”- tha ai.

Qëndrim të kundërt me Humollin ka ish bashkëpartiaku i tij, tash deputet i pavarur, Haki Abazi.

Javën e kaluar Abazi deklaroi “se nuk ka votë për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, por vetëm për ato gjëra që e avancojnë çështjen e Kosovës”.

Nismës së Partisë Demokratike të Kosovës për të shpërndarë Kuvendin i pasoi një takim më 13.05.2024 ndërmjet kryetarit të kësaj partie Memli Krasniqi dhe kryeministrit Albin Kurti, në të cilin është diskutuar edhe për zgjedhjet e reja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas atij takimi se është i gatshëm të hap diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimit tha se zgjedhjet e reja janë të domosdoshme.

Këto deklarata ngjallën edhe reagime të bllokut opozitar, AAK dhe LDK, dy parti që refuzuan takimin me kryeministrin.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.

Edhe LDK, në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Për këtë çështje, Kurti ka zhvilluar takim edhe me drejtuesit e dy partive më të vogla, që janë pjesë e Qeverisë aktuale, Donika Gërvallën dhe Faton Pecin nga partia Guxo, dhe Mimoza Kusari-Lilën nga Alternativa.