Bislimi e Petkoviq në Bruksel për “zbatimin urgjent” të marrëveshjes
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen të martën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Duke konfirmuar lajmin, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se prioritet në takim do të jetë “nisja urgjente e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“.
Për këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia ranë dakord vitin e kaluar, por ajo nuk gjeti zbatim në terren.
Takimin mes kryenegociatorëve e paralajmëruan javën e kaluar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas bisedimeve të ndara që zhvilluan me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Kurti dhe Vuçiq nuk u takuan bashkë, për shkak të, siç u tha, kushteve që nxori kryeministri i Kosovës, e që nuk i pranoi presidenti i Serbisë.
Kurti e kushtëzoi vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.
Stano u tha të hënën gazetarëve se qëllimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është “normalizimi i raporteve”.
“Kjo detyrë është dhënë nga BE-ja si mandat për lehtësuesit e dialogut. Pra, mandati është t’u ndihmohet dy palëve që t’i normalizojnë raportet. Njohja [e Kosovës nga Serbia] nuk është pjesë e mandatit. Natyrisht, konsekuencë logjike e normalizimit do të ishte njohja. Por, kjo është diçka shumë larg në rrugën e procesit”, tha Stano.
Burimet diplomatike në Bruksel thonë se BE-ja po tenton që palët të bien dakord për një plan të sekuencuar të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Deri më tash, palët kanë pasur qëndrime të ndryshme për këtë.
Kosova nuk ka pranuar që prioritet kryesor të jetë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ka refuzuar t’i zbatojë obligimet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe me integritetin territorial të Kosovës.
Për takimin e nesërm mes kryenegociatorëve foli të hënën edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
I pyetur nga gazetarët për qëllimin e këtyre bisedimeve, pas kushteve që i ka nxjerrë Kurti, ai tha se “çdo instancë duhet ta mbajë atë qëndrim” sa u përket atyre kushteve.
Ato kushte janë të arsyeshme, sipas tij, dhe “duhet te sqarohen, në mënyrë që dialogu të ketë sukses”.
Konjufca tha se nga BE-ja priten standardet më të larta, edhe të politikës, edhe të etikës në politikë.
Sipas tij, Borrell dhe i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, “nuk kanë vepruar sipas standardeve më të larta evropiane”.
“Preferencat e tyre private dhe individuale kanë pasur ndikim të madh në mënyrën sesi e kanë formësuar dialogun”, tha Konjufca.
Më herët, BE-ja i ka hedhur poshtë pretendimet e ngjashme të Kurtit se ndërmjetësuesit evropianë nuk janë neutralë./REL