Foto: Policia e Shtetit

Operacioni i koduar “Tempulli” shkon në 100 numri i të arrestuarve në Shqipëri

Policia e Shtetit tash e disa ditë  në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të mega operacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Gjatë ditës kanë arritur që njësitet policore të arrestojnë 29 vjeçarin i cili po kërkohej për veprimtari të kundërligjshme.

Si rezultat, në Unazë të Re, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi E. P., 29 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.

Policia e Shtetit ka njoftuar se po vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Materialet për të arrestuarin e sotëm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.