ShFMU "Ismail Qemajli" Model. Foto: Komuna e Mitrovivës/Facebook

Nxënësit e shkollës "Ismail Qemaili” në Mitrovicë pritet t’u kthehen bankave shkollore pas pushimit pranveror

Objekti i shkollës “Ismail Qemaili” në Mitrovicë që u ndërtua para pesë vjetësh është bërë jofunksional për shkak të dëmtimeve.

Për këtë arsye, nxënësit e kësaj shkolle mësimin po e zhvillojnë online.

Në lidhje më këtë çështje, më 03.04.2024, është mbajt takimi në mes Drejtorisë së Arsimit, Këshillit Drejtues dhe Këshillit të Prindërve të ShFMU “Ismail Qemali”, me ç’rast u vendos që nxënësit ta vijojnë mësimin fizikisht pas pushimit pranveror.

“Të pranishmit u pajtuan që edhe këto dy ditë të vazhdoj mësimi online dhe gjatë javës së pushimit pranveror do të njoftohen të gjithë nxënësit dhe prindërit për detajet e organizimit të mësimit me prezencë fizike pas përfundimit të pushimit pranveror”- ka njoftuar Komuna e Mitrovicës përmes një postimi në Facebook.

KALLXO.com ka pyetur  Drejtorinë e Arsimit në Mitrovicë se a do të transferohen nxënësit në ndonjë shkollë tjetër, kur do të renovohet kjo shkollë dhe kur do të jetë e shfrytëzueshme nga nxënësit. Mirëpo deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, KALLXO.com raportoi me datë 14.03.2024, lidhur me dëmtimet e kësaj shkolle.

https://www.facebook.com/ëatch/?ref=embed_video&v=371191855835202

Reagimi i komunës me datë 14.03.2024

Lidhur me gjendjen e shkollës më 14.03.2024 ka reaguar Komuna e Mitrovicës së Jugut.

Në njoftimin në Facebook thuhej se drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu, pas shqetësimeve të ngritura nga prindërit dhe mësimdhënësit lidhur me sigurinë e nxënësve si pasojë e plasaritjeve, rrjedhjes së ujit nga kulmi, lagështisë dhe dëmeve të tjera, menjëherë ka takuar drejtoreshën e shkollës dhe këshillin drejtues të shkollës.

Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi është diskutuar për shqetësimet e ngritura, me ç‘rast u tha se drejtoresha Kadriu ndau shqetësimin me të pranishmit dhe kërkoi nga ta që të ruajnë qetësinë duke i njoftuar edhe me veprimet që do të merren nga niveli komunal.

Ajo ka treguar se inspektorët komunalë me të marrë informatën kanë dalë në terren për të raportuar përkitazi me gjendjen e këtij objekti.

“Pasi inspektorët e ndërtimit komunal e kanë inspektuar shkollën në fjalë është hartuar edhe një procesverbal, mbi bazën e të cilit kryetari i komunës, z. Bedri Hamza menjëherë ka formuar një komision për verifikimin e gjendjes faktike në objektin e shkollës “Ismail Qemali”. Komision ky që do të bëj evidentimin e dëmeve të shkaktuara si dhe vlerën totale të dëmeve” – thuhej në reagimin e Komunës.

Tutje u shtua se me këtë rast, Drejtoria e Arsimit ka njoftuar MASHTI-in për të kërkuar informata shtesë, ngase sipas Komunës, ky objekt është projektuar, financuar, ndërtuar dhe menaxhuar gjatë ndërtimit nga Ministria e Arsimit.

Komuna shtoi se DKA në Mitrovicë është e përkushtuar që procesi i mësimit të vazhdojë në një mjedis të sigurt për nxënësit dhe stafin e shkollës.