Nora Visoka Weller - Foto: KALLXO.com

Nora Visoka Weller: Më lehtë kam marrë informacione në Serbi sesa nga institucionet e Kosovës

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth trashëgimisë së luftës dhe politikën e jashtme.

Nora Visoka Weller, këshilltare nga Universiteti i Kembrixhit, e cila po bën studime rreth trashëgimisë së luftës, ka thënë se roli i Vatikanit në politikën e jashtme evropiane apo edhe globale është shumë i rëndësishëm.

“Është me rëndësi që institucionet e Kosovës ta marrin me seriozitet aktivitetin e Paglias në këtë aktivitet në këtë moment kohor që është duke ndodhur si një formë të kontinuitetit nga ajo që ka ndodhur në të kaluarën” – tha Visoka Weller.

Ajo shtoi se kur ka bërë studimin rreth varrezave masive në Beograd, ka kuptuar që në Kosovë dokumentimi i luftës është bërë në mënyrë fragmatike apo, sipas saj, nuk është bërë fare.

“Këtu është problemi i Kosovës, ne shohim tërë kohës homazhe të ndryshme të zyrtarëve institucionalë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Është koha e duhur që t’i qasemi seriozisht dokumentimit mbi atë që ka ndodhur në Kosovë” – thotë ajo më tej.

Ajo ka thënë gjithashtu që më lehtë e ka pasur të marrë informacione kur kishte bërë hulumtimin mbi varrezat masive në Serbi sesa nga institucionet e Kosovës.

“Natasha Kandiq, Fondi për të Drejtën Humanitare ka bërë dokumentimin më të rëndësishëm për Kosovën dhe për atë që ka ndodhur. Në asnjë mënyrë Kosova nuk e ka marrë atë dokument (listën e të vrarëve) dhe me punu mbi të, me shty tutje” – ka shtuar Nora Visoka Weller.