Drita Hajdari komenton deklaratën e ministres së Drejtësisë se nuk ka pasur vullnet për trajtim të krimeve të luftës në kohën e Lumezit

Udhëheqësja e Departamentit të krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale, Drita Hajdari, ka reaguar lidhur me deklarimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se në kohën e ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, nuk ka pasur vullnet për trajtim të krimeve luftës.

Hajdari në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se në kohën kur është themeluar Departamenti për krime të luftës kanë qenë dy prokurorë, derisa tani janë katër. 

Sipas saj, kaq është kapaciteti dhe kjo nuk është tregues i interesimit për trajtim të këtyre krimeve.

“Në mandatin e EULEX-it është themeluar Departamenti për krimet e luftës. Në atë kohë kapacitetet e Prokurorisë Speciale nuk kanë qenë të mjaftueshme për caktim të më shumë prokurorëve. Fillimisht kam qenë vetëm unë, pastaj është bashkëngjitur kolegu Elez Blakaj. Tani kemi 4 prokurorë që merren me krime të luftës dhe akoma nuk është numër i mjaftueshëm. Ky nuk është matës i interesimit të Lumezit për krime të luftës. Këto janë mundësitë dhe kapacitetet e Prokurorsë Speciale”- deklaroi Hajdari.

Drita Hajdari tutje theksoi se deri tani janë identifikuar qindra persona lidhur me krimet e luftës, por shumica prej tyre nuk janë në Kosovë.

“Shumica e tyre nuk gjenden në Kosovë, nën hetim janë një numër i madh i rasteve, deri tani janë identifikuar qindra persona, kemi lëshuar fletarrestime ndërkombëtare dhe kjo varet prej shteteve fqinje ku ndodhen”- shtoi tutje Hajdari.