Njësiti i Trafikut në Prishtinë në aksion për kontrollin e motoçikletave, konfiskon 77 skuterë

Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor në Prishtinë po implementon planin operativ për ngritjen e sigurisë në trafik, me fokus motoçikletat.

“Policia e Rajonit të Prishtinës respektivisht, njësiti rajonal i trafikut rrugor duke u mbështetur në vlerësimet e fundit që i ka bërë situatës së sigurisë në trafik, që nga data 26 prill 2021, ka filluar me implementimin e një plani operativ për kontrollin e shtuar në trafik me fokus të veçantë ndaj ngasësve të motoçikletave”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, vetëm gjatë muajit prill për kundërvajtje të ndryshme në trafikun rrugor, në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë Prishtinë, janë shqiptuar 11 mijë e 184 gjoba.

Ndërsa sa i përket planit që ka filluar që nga data 26 prill, deri sot janë konfiskuar 77 skuterë, janë marrë masa ndaj 44 ngasësve të motoçikletave pa patentë shofer, ndaj 32 ngasësve të motoçikletës pa helmetë mbrojtëse dhe masa ndaj 52 ngasësve të motoçikletave pa regjistrim.

Policia ka bërë të ditur se ky operacion do të këtë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdojë deri sa të vlerësohet që është arritur efekti i dëshiruar.