Një mjek i EULEX-it kreu ekzaminimet mjekësore ndaj Dejan Pantiqit

Ish- zyrtari policor i cili u arrestua nën dyshimet për sulme që ndërlidhen me terrorizëm dhe sulm ndaj rendit kushtetue, Dejan Pantiq, tash e dhjetë ditë gjendet nën masën e paraburgimit dhe këtë masë po e mban në stacionin policor në Jarinje.

Të njëjtit i janë kryer ekzaminimet mjekësore nga një mjek i EULEX-it.

“Pas kërkesës së gjyqtarit të procedurës paraprake, një mjek i EULEX-it ka kryer ekzaminimin paraprak mjekësor të D. P. Raporti i është dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake. Për më shumë informata kontaktoni Gjykatën Themelore kompetente Prishtinë”- thuhet në njoftimin e EULEX-it për këtë çështje.

Familjarët e Pantiqit në ditët e para kur u arrestua reaguan pasi sipas tyre ish-policit nuk iu ofruan barnat e duhura për problemet shëndetësore me të cilat ballafaqohet i njëjti.

Ditë më parë EULEX në një përgjigje për KALLXO.com konfirmoi se ata kanë lehtësuar transportin e barnave për Dejan Pantiqin.

“Misioni (EULEX) ia dorëzoi barnat komandantit të policisë në Leposaviq. Autoritetet e Kosovës na siguruar se D. P., është furnizuar me barnat e nevojshme”- thuhet në përgjigjen e EULEX-it dhënë për KALLXO.com.

Pantiq u arrestua pasditen e 10 dhjetorit nën dyshimet për kryerjen e veprave penale terroriste dhe asaj kundër rendit kushtetues.

Në shenjë rezistence ndaj arrestimit të Pantiqit, më 10 dhjetor në veri të Kosovës u lëshua edhe alarmi i cili dha sinjalin që rrugët në komunat me shumicë serbe të bllokohen në mënyrë që të mos lejohet asnjë lloj qarkullimi.

Deri më tani janë më shumë se gjashtë barrikada të vendosura në veri të vendit ndërsa sipas Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, veprimet e tilla janë kryer nga grupe kriminale.

KALLXO.com ka biseduar me avokatin e Pantiqit, Srgjan Mitroviq, i cili tha se nuk kanë bërë kërkesë në Gjykatë për të vizituar klientin e tij.

Mitroviq ka thënë se kanë bërë një kërkesë te EULEX-i por që nga ta ka marrë përgjigje se nuk mund të realizohet një gjë e tillë.

“Ne kemi bërë përpjekje një gjë të tillë ta bëjmë përmes EULEX-it sepse kemi konsideruar që është më së miri të veprohet kështu. Pastaj me gruan dhe djalin e tij kemi shkuar në polici të EULEX në Mitrovicë. Ata më kanë thënë se do të pyesin në Qendrën Kryesore në Prishtinë. Ata më kanë thënë që do të ju njoftojmë, s’kemi marrë ndonjë informacion deri dikur në orët e pasdites më ka kontaktuar një polic dhe më ka thënë që nuk kanë mundësi të realizojnë një gjë të tillë” – tha Mitroviq për KALLXO.com.

Tutje ai pranoi se një kërkesë zyrtare nuk është bërë në Gjykatë për të vizituar Pantiqin.

“Jo, në gjykatë nuk kemi adresuar kërkesë për vizitë, kemi adresuar vetëm kërkesën rreth dorëzimit/dhënies së barnave për të” – shtoi tutje Mitroviq, avokati i Dejan Pantiqit.

EULEX-i në disa përgjigje për KALLXO.com ka dhënë shpjegime në lidhje me kërkesën e familjes së Dejan Pantiq.

“Misioni i EULEX-it është në dijeni për kërkesën e familjes për ta vizituar D. P.,, megjithatë misioni nuk është në gjendje të lehtësojë vizitën nga familja, për më shumë informacione kontaktoni autoritetet e Kosovës”- ka thënë EULEX për KALLXO.com.

Tutje ata kanë konfirmuar se janë në vazhdimësi duke monitoruar rastin e Dejan Pantiq, dhe janë në kontakt me Policinë e Kosovës, Prokurorinë Speciale, Departamentin Special të Gjykatës si dhe me Avokatin e Popullit.

EULEX gjithashtu ka konfirmuar se të njëjtit nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë të familjes së Dejan Pantiq në Gjykatë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK