Ilustrim

Një kompani angleze e çon stafin në pushim falas si falënderim për punën gjatë pandemisë

Një kompani angleze rekrutimi do të dërgojë 55 pjesëtarë të stafit të saj në pushime në Tenerife të Spanjës për t’i falënderuar për punën e tyre gjatë pandemisë, raporton BBC.

Punëtorët e “Yolk Recruitment” në Cardiff do të nisen në pushimin me të gjitha shërbimet e paguara në një hotel në Tenerife në prill të këtij viti.

Kompania njofton se do të shpenzojë deri në 118,285 euro (100 mijë paund) për pushimin katër-ditorë.

Shefi komercial i kompanisë, Pavan Arora ka thënë se viti 2020 ishte një kohë e vështirë për të gjithë kompaninë e tyre.

“Stafi ynë ka kaluar një rrugëtim, nga shkuarja në punë në distancë, në atë hibride… kështu që ne thjesht donim t’i përqafonim të gjithë dhe t’i falënderojmë për punën e tyre në dy vitet e fundit”, ka thënë Arora.

28-vjeçarja Matthew Morgan, e cila iu bashkua kompanisë në fillim të vitit 2022, tha se ishte çuditur pasi ajo ka filluar punën tri javë më parë.

Ndërkaq, 26-vjeçarja, Rebecca Bond, e cila punon në këtë kompani qe 4 vite, ka thënë se është shumë e kënaqur me vendimin për pushime pas një viti me të vërtetë të ngarkuar.