Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Një i vdekur e katër të lënduar në një aksident trafiku në Prugovc të Prishtinës

Një person ka vdekur e katër të tjerë janë lënduar si pasojë  e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot në fshatin Prugovc të Prishtinës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në Emergjencën e QKUK-së.

“Rreth orës 13:30 kemi pranuar informatën se në fshatin Prugovc, ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime  trupore kanë pësuar pesë persona, një prej tyre nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në Emergjencën e QKUK-së.”- ka thënë Ahmeti.

Ajo ka njoftuar se me rastin po merret hetuesia nga Njësiti i trafikut rrugor.