Një grua nxirret e gjallë pas një jave e ngujuar nën rrënoja

Ekipet e shpëtimit e kanë nxjerrë të gjallë një grua nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Turqi të hënën dhe një ekip tjetër po gërmonte një tunel për të arritur në atë që besohej të ishin ngujuar një gjyshe, nënë dhe një foshnjë 30-ditëshe, raportoi transmetuesi CNN Turk.

Një javë pas tërmetit katastrofik që goditi Turqinë dhe Sirinë, numri i të vdekurve është rritur në afro 34,000 dhe duket se do të vazhdojë të rritet ndërkohë që shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë po zbehen gjithnjë e më shumë.

CNN Turk raportoi se Sibel Kaya, 40 vjeç, u shpëtua në provincën jugore të Gaziantep, rreth 170 orë pasi i pari nga dy tërmetet e mëdha goditi rajonin.

Punonjësit e shpëtimit në Kahramanmaras kishin kontaktuar gjithashtu me tre të mbijetuar, që besohet se ishin një nënë, vajza dhe foshnja, në rrënojat e një ndërtese, ka raportuar CNN Turk.

Tërmeti më vdekjeprurës në Turqi që nga viti 1939 ka qenë fatal për  29,605 njerëz atje. Më shumë se 4,300 njerëz u raportuan të vdekur dhe 7,600 të plagosur në veriperëndim të Sirisë që nga e diela, thotë një agjenci e OKB-së.

Të dielën, sipas Ministrisë së Situatave të Emergjencave të Rusisë, ekipet e shpëtimit nga Rusia, Kirgistani dhe Bjellorusia nxorrën të gjallë një burrë nga një ndërtesë e shembur në Turqi, rreth 160 orë pas tërmetit. /Reuters

 

Përgatiti: Nuhi Shala