Ballina e librit ‘Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)’. Foto: KALLXO.com.

Promovohet libri për gjykimet politike ndaj shqiptarëve të Kosovës në Serbi gjatë viteve 1999-2001

Mbi 2,000 të burgosur shqiptarë, të arrestuar gjatë viteve të luftës në Kosovë, ishin dërguar në burgje të ndryshme të Serbisë në prag të mbarimit të luftës në vitin 1999.

Këta të burgosur, në mesin e të cilëve kishte edhe gra dhe të mitur, ishin rrahur dhe maltretuar në mënyra të pamëshirshme nga organet e sigurimit nëpër burgjet në Serbi, ku ishin transferuar.

Kurse, menjëherë pas transferimit, ndaj tyre kishin nisur procese gjyqësore në gjykatat serbe.

Këto të dhëna janë shpalosur të enjten, më 22.02.2024, gjatë promovimit të librit “Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)” të Fahri Musliut, që u mbajt në Qendrën e Dokumentimit të Kosovës në Prishtinë.

Libri jep të dhëna lidhur me numrin e të burgosurve civilë shqiptarë që ishin transferuar në Serbi dhe ndaj të cilëve ishin mbajtur procese gjyqësore politike në vitet 1999-2021, gjykimeve, trajtimit të rëndë deri te lirimi i tyre nga ato burgje.

Promovimi i librit ‘Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)’. Foto: KALLXO.com.

Gazetari Fahri Musliu, autori i librit, tha se në libër janë pasqyruar shumica e proceseve gjyqësore ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1999-2001, me theks të veçantë gjykimet ndaj mjekes Flora Brovina, (kryeministrit aktual të Kosovës) Albin Kurtit, grupit të studentëve shqiptarë në Beograd, të akuzuarit në rastin “Kleçka”, grupit të të burgosurve nga Gjakova, etj.

Në libër është përfshirë edhe një intervistë me Albin Kurtin, e zhvilluar në burg nga autori.

“Ata janë arrestuar dhe janë mbajtur si pengje të luftës dhe u dënuan në procese krejt politike dhe të paligjshme. Ata janë ballafaquar me polici shumë të egër, me gjyqtarë që nuk kanë respektuar kurrfarë etike gjyqësore, përfshirë edhe shumë avokatë matrapazë, të cilët janë munduar t’i rjepin të burgosurit duke iu kërkuar para për gjoja lirimin e tyre nga burgu”- tha Musliu.

Ndërsa, avokati Teki Bokshi, i cili ka mbrojtur të burgosurit shqiptarë në burgjet serbe, tha se libri i Musliut ka rëndësi dokumentare për të ditur të vërtetën rreth proceseve të montuara politike në gjykatat serbe gjatë viteve 1999-2001.

“Libri ka rëndësi dokumentare pasi ofron të dhëna autentike rreth atyre proceseve gjyqësore politike ndaj shqiptarëve. Sjellja e zyrtarëve serbë, veçmas atyre që ishin nga Kosova ishte shumë brutale ndaj të burgosurve”- ka thënë Bokshi, duke sjellë kujtime nga proceset gjyqësore.

Bokshi tha se lirimi i të burgosurve shqiptarë u bë falë ndërhyrjes dhe presionit ndërkombëtar.

“Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)”,  botuar më 2023, është botimi i dytë i plotësuar i librit, “Gjykimet e pengjeve” të botuar më 2002, dhe botimit në gjuhën serbe “Montirani procesiu protiv kosovskih albanaca” më 2007.

 

Ballina e librit ‘Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)’. Foto: KALLXO.com.