Në mbledhjen e KQZ-së kërkohet hetim për votat e diasporës në disa komuna

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë kërkuar të hetohen votat të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit, për shkak të dyshimeve se në ato vota mund të ketë pasur manipulime.

Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga PDK-ja tha se sot kanë marr një email një shqetësim nga mediat lidhur me votat e diaporës. Gashi konsideron që dyshimet që kanë fillu të ngritën duhet t`i paraprij një hetim i plotë.

Ai kërkoi një raport nga sekretariati mbi të gjeturat e asaj se cila është e vërteta e çështjeve të ngritura në opinion.

“Rreth 70 për qind të votave të ardhura nga diaspora në Kosovë vijnë vetëm nga tri komuna shumë të vogla është indikacion për me shfaq atë që sot mediat e kanë ngritur. S’po paragjykoj asgjë veç dua një hetim mu bo nga ne me ditë të vërtetën e pretendimeve të mediave”, tha ai.

Edhe anëtari tjetër i PDK-së Arianit Elshani ka thënë se disa nga fletëvotimet që po ruhen në Ministrinë e Transportit janë të shkruara nga i njëjti person.

“Çështja e votave nga jashtë për tre komunat që vërtetë dallojnë në numër të aplikimeve. Kemi pa këtë diferencë në Mamushë, Junik e Dragash. Në raport me numrin e popullsisë dallojnë krahas komunave tjetra dhe janë dukshëm më të vogël në numër të popullsisë por në raport me numrin e aplikantëve nga jashtë dallojnë shumë me Prishtinën, Gjilanin e Podujevën. Sot gjatë ditës isha në Ministrinë e Transportit ku po mbahen këto zarfe dhe është e vërtetë që disa prej atyre zarfeve kanë shkrim të njejtë, vërehet që është përdor një kimik i njëjtë, një person ka shënuar të dhënat në disa zarfe. Këto kërkojnë hetim pa paragjykuar se kush çka ka mundur të bëjë”, tha ai duke shqetësuar se ky shqetësim duhet të adresohet.

Florian Dushi anëtar i KQZ-së nga LDK tha se në këto komuna kanë kërkuar verifikim, i cili sipas tij ka ndodh nga sekretariati ose shërbimi votues.

“Ky proces është zhvillu rreth dy muaj dhe ka mbi 50 për qind të votuesve që janë telefonuar dhe verifikuar që kanë votu personalisht. Nuk është mirë të kemi standarte të dyfishta dhe të gjykojmë numrin e këtyre fletëvotimeve dhe zarfeve bazuar në rezultatin e zgjedhjeve në komuna përkatëse. Edhe përkundër kësaj unë jam që sekretariati të zhvilloj krejt çka mundët në kuptimin e konfirmimit të vlefshmërisë të atyre votave që kanë ardhur nga jashtë për komunat përkatëse.

Dushi kërkoi që vlerësimin e zarfeve ta bëjë sekretariati i KQZ-së.

“Urdhëroni e lojmë këtë çështje në shërbimin e sekretariatit dhe ta bënë vlerësimin”, tha ai duke shtuar se ky është spekulim i sponzoruar në media pasi u janë drejtuar se votat e ardhura janë kryesisht nga Austria.

Edhe anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje Sami Kurteshi kërkoi që të hetohen votat për të cilat mediat kanë pasur interesim për tri komunat.

“Ne mundemi mi verifiku dhe me ju dhanë qasje gazetarëve. T`i grahim ma shpejtë dhe t`u japim mediave atë çka po e kërkojnë”, tha Kuretshi.

Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së tha se gjitha votat e konfirmuara janë të gatshme për t`u numëruar në QNR vota jashtë vendit. Proceduralisht sipas tij nuk kanë asnjë pengesë për të fillu m`u numëru.

“Ajo që u kërku prej KQZ-së nuk është në procedurë që të bëjmë ne një verifikim se prej cilit shtet kanë ardh apo prej cilës postë kanë ardh. Kemi kritere në bazë të cilave votuesit i konfirmohet ose i refuzohet vota. Ne kemi dy kategori gjithë e dimë se pse refuzohet vota me postë. Gjithë të konfirmuarat i kemi në QNR dhe çfarëdo verifikimi tjetër të bëjmë nuk mund ta ndaloj procesin e numërimit”, tha ai.

Sipas Ahmetajt në fazën e regjistrimit të votuesve jashtë vendit janë bërë disa verifikime dhe po ashtu ka pas edhe verifikime shtesë.

“Prej anës tonë janë kryer gjitha procedurat dhe sa i përket sekretariatit qysh tash mund të filloj numërimi”, tha Ahmetaj.

Hetimet sipas Ahmetajt janë organet tjera që i bëjnë.

Elshani në fund kërkoi që “këto tre komuna të veçohen të krijohet një raport ku listohen çështjet që u bënë në këtë diskutim”.

Diskutimi i sotëm në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve erdhi pas interesimit të KALLXO.com dhe sipas anëtarëve të KQZ-së pas interesimit të disa mediave në lidhje me votat e ardhura nga vendet e jashtme në Kosovë përmes Postës.

KALLXO.com kishte pranuar informacione se në Komunat, Dragash, Mamushë e Junik ka numër të madh të votave me postë duke i krahasuar me numrin e verifikuar të votuesve. Në këto zarfa fotografitë të cilat i ka siguruar KALLXO.com, shihet se të njëjtat janë me shkrim të njëjtë dhe nga adresa e njëjtë.

Pas interesimit të KALLXO.com disa nga anëtarët e KQZ-së kanë kërkuar që votat e ardhura nga diaspora të hetohen në mënyrë që të ketë një pasqyrë të drejtë të përqindjeve të kandidatëve për kryetar të komunave.

Anëtarët e KQZ-së kanë dalë në pauzë 10 minutëshe pas një diskutimi të gjatë për këtë çështje.